Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese, nga radhët e komunitetit serb, Radomir Laban, dyshohet se është bashkëpunëtor i Agjencisë së Inteligjencës në Serbi (BIA) dhe se ka raporte të afërta me kryeterroristin Milan Radoiçiq.

Në një konferencë për media të dielën, Haxhiu ka thënë se gjyqtari i Kushtetueses përbën kërcënim për rendin kushtetues të Republikës së Kosovës.

“Serbia asnjëherë s’ka hequr dorë nga përpjekjet për ta destabilizuar Kosovën dhe penguar zhvillimin e saj në të gjitha format e saj. Kohëve të fundit është arritur një sukses i madh i institucioneve tona të sigurisë dhe inteligjencës, në dokumentimin e aktivitetit të spiunazhit e sabotazhit të Serbisë në Kosovë. Një përfundoi me dënim sepse vetë ai e pranoi fajësinë. Serbia ka përdorur historikisht dhe përdor edhe sot agjenturën me qëllim që të shtrijë ndikimin në çdo vend fqinj, e sidomos në Kosovë. Në mesin e këtyre shembujve është edhe ai i Radomir Labanit”, ka thënë ajo fillimisht.

Sipas Haxhiut, Labani ishte arrestuar sa ishte zyrtar për inteligjencë në Doganën e Serbisë më 2006 dhe se ishte dënuar me gjashtë vjet heqje lirie. “Ky rast besohet të jetë momenti kur BIA e komprometoi dhe ia organizoi zhvendosjen në Kosovë... si u lirua mbetet enigmatike, por Serbia e ka ende aktive arrestin ndaj tij. Enigmë mbetet edhe emërimi i tij por edhe qëndrimi në pozitën e gjyqtarit”, ka thënë ajo.

Ministrja në detyrë ka thënë se Labani ka raporte shumë të afërta me kryeterroristin e rastit të Banjskës, Milan Radoiçiq. Ajo ka thënë se Labani ka përfituar në prona të paluajtshme e punësim të familjarëve falë këtyre lidhjeve. Haxhiu ka thënë se Labani ende përfiton të ardhura financiare nga Serbia.

Teksa ka kritikuar zinxhirin e institucioneve për mosveprim në rastin e Labanit, sidomos pas konferencës së presidentes Vjosa Osmani, Haxhiu ka bërë thirrje që Prokuroria të nisë hetimet, apo nëse i ka nisur të tregojë publikisht për këtë. Ajo po ashtu ka ftuar Gjykatën Kushtetuese të nisë procedurën për shkarkimin e Labanit.

Sa i përket çështjes së Labanit, në Kushtetuese ditë më parë kanë deklaruar se ai e ushtron funksionin e gjyqtarit “pasi u është nënshtruar të gjitha procedurave kushtetuese e ligjore, për propozimin e tij nga Kuvendi i Kosovës dhe dekretim nga presidenti”.

Presidentja Vjosa Osmani ditë më parë e tërhoqi kërkesën e saj drejtuar Gjykatës Kushtetuese lidhur me pasojat juridike pas dështimit të deputetëve për të konstituuar Kuvendin brenda 30 ditësh. Ajo u shpreh se këtë e bëri pasi Radomir Laban u caktua gjyqtar raportues. Osmani bëri të ditur se Labani ishte konsideruar si person i rrezikshëm për sigurinë kombëtare dhe rendin kushtetues, sipas raporteve të institucioneve të sigurisë të viteve 2018, 2021 dhe 2024.

Çitaku – Haxhiut për Labanin: Siguria kombëtare s’mbrohet me konferencë

1 o. më parë / 10 gus 2025 15:09
Vlora Citaku

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, i ka reaguar konferencës së ministres në detyrë, Albulena Haxhiu, në të cilën ajo e cilësoi cenim të rendit kushtetues, gjyqtarin e Gjykatës Kushtetuese, Radomir Laban.

Çitaku i ka thënë Haxhiut se ajo është në pushtet tash e sa vjet, por se reagimin e ka bërë veç në kohën kur Kushtetuesja vendosi për seancën konstituive të Kuvendit, jo në përputhje me qëndrimet e Lëvizjes Vetëvendosje.

“Sa për qartësi, kryesuesi i seancës e ka shkelur Kushtetutën dhe këtë e kanë konstatuar me unanimitet të gjithë gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese, përfshirë edhe dy prej të cilëve i keni votuar edhe ju.  Çdo përpjekje për të delegjitimuar institucionin, në këtë rast GJK-në, është as më shumë e as më pak se thirrje për anarki. Ku ishit ju, të nderuar, para katër, tre, dy, një viti? Kishit pushtet absolut. Siguria kombëtare nuk mbrohet me konferenca për shtyp, por me veprime konkrete. Të mjerë dhe të rrezikshëm njëkohësisht”, ka shkruar Çitaku në Facebook.

Bajrami i reagon Haxhiut: As Osmanit e as VV-së s’i pengonte Kushtetuesja kur e rrëzoi Qeverinë Hoti

1 o. më parë / 10 gus 2025 15:04
Hykmete Bajrami

Photo: Driton Paçarada

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, i ka reaguar ministres në detyrë të Drejtësisë, Albulena Haxhiu, që të dielën në një konferencë për media e cilësoi gjyqtarin e Gjykatës Kushtetuese, Radomir Laban, si cenim për rendin kushtetues.

Bajrami ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje e presidentes Vjosa Osmani nuk u ka penguar përbërja e Kushtetueses kur më 2020 ishte rrëzuar Qeveria Hoti.

“FAKTE: As Vjosa Osmanit, as LVV-së nuk iu ka penguar përbërja e Gjykatës Kushtetuese kur kjo Gjykatë ka rrëzuar qeverinë në vitin 2020, asnjë zë, asnjë fjalë në atë kohë”, ka shkruar ajo në Facebook.

Bajrami ka shkruar se Vetëvendosje po përpiqet të shesë patriotizëm.

“Albulenë, Sulmet që ju bëni gjykatave tregojnë më shumë për ju sesa për gjykatat. Po i bëni gati 5 vjet në krye të Ministrisë së Drejtësisë dhe, përpos sulmeve ndaj gjykatave, asnjë punë, asnjë reformë s’ta mban kush mend. Mos mendoni që kemi harruar, të gjithëve na kujtohet se si pas sulmit terrorist në Banjskë, Radojçiqit iu krijua një korridor dhe ai iku në pikë të ditës nën vëzhgimin e kamerave dhe deri më sot asnjë shpjegim s’ka dhënë qeveria e LVV-së. Për më tepër, qeveria e LVV-së pas sulmit terrorist në Banjskë ka pasur mundësi që ta shpallë organizatë terroriste Listën Serbe, por nuk e ka bërë një gjë të tillë dhe sot provoni të shisni patriotizëm dhe, sa herë që ndonjë vendim i ndonjë institucioni nuk ju pëlqen, disi tentoni ta lidhni me Serbinë dhe Radojçiqin. Mos se po ju njohim!” ka shkruar ajo.

Sipas Bajramit, VV-ja dhe Osmani po e duan Kushtetuesen pa kuorum. Ajo ka thënë se kjo “veç Kosovës nuk i shkon për shtati”.

Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, më herët gjatë ditës ka thënë se gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese, nga radhët e komunitetit serb, Radomir Laban, dyshohet se është bashkëpunëtor i Agjencisë së Inteligjencës në Serbi (BIA) dhe se ka raporte të afërta me kryeterroristin Milan Radoiçiq.

Presidentja Vjosa Osmani ditë më parë e tërhoqi kërkesën e saj drejtuar Gjykatës Kushtetuese lidhur me pasojat juridike pas dështimit të deputetëve për të konstituuar Kuvendin brenda 30 ditësh. Ajo u shpreh se këtë e bëri pasi Radomir Laban u caktua gjyqtar raportues. Osmani bëri të ditur se Labani ishte konsideruar si person i rrezikshëm për sigurinë kombëtare dhe rendin kushtetues, sipas raporteve të institucioneve të sigurisë të viteve 2018, 2021 dhe 2024.