Arbëri

Bllokohet kthimi i ligjshmërisë në procesin e licencimit të hidrocentraleve

Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës ende nuk ka miratuar udhëzimin administrativ për fitimin e së drejtës ujore për shfrytëzim komercial përmes koncesionit. Ani se një draft-udhëzim ishte i gatshëm që nga korriku i vitit të kaluar, zyrtarë të kësaj ministrie e kanë lënë anash atë - kanë vazhduar me ndryshim të udhëzimin të vjetër duke përjashtuar koncesionin. Në korrespondencat e këshilltarëve të Këshillit Ndërministror për ujëra dhe zyrtarëve të kësaj ministrie, që ka siguruar KOHA, shfaqen dyshimet se do të vazhdohet me praktikën e vjetër të lëshimit të lejeve për hidrocentrale

Zyrtarë të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës po e mbajnë peng udhëzimin administrativ për fitimin e së drejtës ujore për shfrytëzim komercial përmes koncesionit. Në kundërshtim me konkluzionet e grupit punues për hartimin e këtij akti të korrikut të 2022 është ndërruar kursi i veprimit nga zyrtarë brenda Ministrisë, të cilët kanë vendosur që në vend të udhëzimit të ri, të procedohet me plotësim ndryshim të udhëzimit të vjetër për leje ujore.

Në disa e-maile, të cilat i ka siguruar KOHA, këshilltarë të Këshillit Ndërministrorë për ujëra kanë shprehur dyshimet se rezistenca për miratimin e aktit nënligjor për koncesione është e motivuar me justifikimin e praktikës së deritanishme të dhënies së lejes ujore për shfrytëzim afarist të ujërave nga individët që e kanë zbatuar një praktikë të tillë.

Aty thuhet se ka tendenca për vazhdimin e kësaj praktike edhe në të ardhmen. Nga ministri Liburn Aliu kërkohet që të kthehet mbrapsht projektudhëzimi administrativ për ndryshim dhe plotësim të UA për leje ujore, pasi siç thuhet është në kundërshtim me Ligjin për Ujëra të Kosovës.

Në programin qeverisës parashihej kompletimi i akteve nënligjore, sidomos rreth koncesionit.

KOHA ka shtatë ditë që pret sqarime nga MMPHI lidhur me këtë çështje. E ministri Liburn Aliu ka kërkuar që t’i drejtohemi zyrës për media, pikërisht asaj zyre që nuk përgjigjet plot një javë.

Egzona Shala, drejtoreshë në organizatën “EcoZ” ka thënë se ministri Aliu kishte premtuar se e drejta ujore për hidrocentrale do të jepet përmes koncesionit e jo si është bërë deri më tani.

“Po shpresojmë që do të ketë një zgjim të Ministrisë për hartimin e politikave dhe sidomos në zbatimin e politikave. Ky është i domosdoshëm si udhëzim administrativ për të definuar procesin e dhënies së të drejtës ujore, nëpërmjet palëve të ndryshme, aty ku ka konflikt të interesit apo ku duhet të definohet përkatësia ujore”, ka thënë ajo.

Sipas saj, në këtë rast fuqizohet komuniteti dhe krijon vendimmarrje të barabartë në aspektin e dhënies së të drejtës ujore.

“Me këtë e nxit ofertimin e ndryshëm për një interes të përbashkët, apo një interes të caktuar që kanë ato biznese karshi së drejtës ujore. Edhe pse me ligjin me ujëra është mirë e definuar dhe ka qenë edhe më herët, me ligj definohet e drejta ujore, por tjetër është se në praktikë ka shkuar me leje ujore dhe ende vazhdon, është forma e ndryshme e aplikimet, ajo që po shohim është se ofertuesit vazhdojnë të parët, pastaj krijohet pajisja e tyre me leje ujore dhe mjedisore”, ka thënë Shala.

Sipas saj, ky proces i konvenon aktualisht Ministrisë së Mjedisit, për arsye të mospublikimit të të dhënave karshi lejeve, karshi situatës së ujërave dhe karshi donatorëve. Ajo thotë se në këtë aspekt ka ngecje të mëdha.

Ndërkohë, Ministria ka proceduar me plotësim-ndryshimin për leje ujore, ku në konsultime publike e kishte arsyetuar këtë duke thënë se propozimi i përfshirë nuk ka bazë të mirëfilltë ligjore.

“Nuk ka ndonjë dispozitë specifike ligjore, që e përcakton ndarjen e koncesionit si detyrim. Neni 78 i Ligjit për Ujërat e Kosovës në mënyre taksative liston veprimtaritë koncesionale, pa rregulluar koncesionin në funksion të madhësisë së projekteve. Gjithashtu vlen të theksohet se koncesioni në tri vendet regjionale, Mal të Zi, Serbi dhe Maqedoni është i rregulluar si mundësi e jo si detyrim”, thuhet në komentet e zyrtarëve të Ministrisë.

Por sipas një raporti të kompanisë “Wolf Theiss”, “Gjenerimi i elektricitetit të Burimeve të Ripërtërishme në Evropën Qendrore, Lindore dhe Juglindore”, thuhet se për Serbinë dhe Maqedoninë e Veriut dhënia e koncesionit për shfrytëzim të ujit për hidrocentrale është obligative. Njësoj thuhet edhe për Malin e Zi - kjo është përfshirë në Strategjinë për ujëra të këtij shteti.

Në korrespondencat tjera të këshilltarëve të Këshillit Ndërministror për Ujëra me zyrtarë të Ministrisë kërkohet sqarime pse është hequr dorë nga udhëzimi iri administrativ. Aty edhe shprehet habi për këtë ndryshim.

“Në arsyetimin e vet, kryesuesja e GP-së po thotë që situata ka ndryshuar krejtësisht pas marrjes së opinionit ligjor nga Ministria e Financave. Unë e lexova opinionin ligjor dhe asgjë të re nuk ka në këtë opinion ligjor, prej asaj çfarë e kemi ditur dhe e kemi diskutuar me dhjetëra herë në takimet e grupit punues, madje e kemi diskutuar edhe me eksperten e angazhuar nga Maqedonia për mbështetjen e grupit punues”, thuhet aty.

Tutje thuhet se Ligji për Partneritet Publiko-Privat i rregullon vetëm koncesionet e Punëve dhe koncesionet e shërbimeve – jo edhe koncesionet për shfrytëzim të resurseve natyrore.

“Prandaj ky ligj nuk është i aplikueshëm për dhënie me koncesion të ujërave për shfrytëzim komercial. Unë për veti nuk kam shpjegim, përpos që me gjasë ka njerëz në ARPL dhe DMMU, të cilëve iu pengon nxjerrja e këtij fakti, se këtë draft të udhëzimit administrativ e kanë bllokuar për më shumë se 1 vit e gjysmë dhe tash kur u dakorduam në parim që duhet të procedohet me të , tash bëjnë sabotime, krejt të pabazuara”, thuhet në email.

Mes tjerash thuhet se në grup punues për këtë udhëzim administrativ ka qenë edhe përfaqësuesi i Ministrisë së Financave – Departamenti Qendror për PPP, i cili ka qenë pjesë aktive e procesit të diskutimit dhe është pajtuar me këtë draft të UA.

Edhe Grupi punues që kishte themeluar ministri Liburn Aliu për shqyrtim të procedurave të licencimit të hidrocentraleve kishte konstatuar shkelje ligjore gjatë dhënies së të drejtës ujore përmes lejes ujore e jo përmes koncesionit.

Së fundmi KOHA ka raportuar se në kundërshtim me rekomandimet që kishte lëshuar ky grup, zyrtarë të Ministrisë kanë vazhduar me procedura duke lëshuar pëlqim ujor për një hidrocentral në Liqenin e Radoniqit, pronë të KRU “Gjakovës” dhe për procedurat për lëshim të lejes ujore për hidrocentralin “Binça” në Moravë të Binçës, pavarësisht se ishin konstatuar një sërë shkeljesh.