Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Blerim Shala në PIKË me Veton Surroin (V)

Në episodin e 45-të të podcastit PIKË me publicistin Veton Surroi, i ftuar është gazetari e aktivisti politik Blerim Shala (V).
 

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Surroi: Lufta në Maqedoni rrezikonte reperkusione të mëdha

14 o. më parë / 8 mar 2026 20:50
Veton Surroi

Publicisti Veton Surroi ka kujtuar një episod nga periudha e pasluftës në Kosovë, duke treguar se fillimi i konfliktit të armatosur në Maqedonia e Veriut në vitin 2001 rrezikonte të shkaktonte pasoja të mëdha në rajon, ndërsa reagimi i administratës ndërkombëtare ishte i ngadalshëm.

Në një bashkëbisedim në podcastin “PIKË” me aktivistin politik Blerim Shala, Surroi tregoi se në atë kohë kishte pasur kontakte me figura politike shqiptare në Maqedoni, përfshirë liderin e atëhershëm të Partisë Demokratike Shqiptare, Arbën Xhaferi, me qëllim që konflikti të ndalej dhe të hapej një proces politik.

Sipas Surroit, ai kishte kërkuar një takim urgjent me administratorin e atëhershëm të Kosovës në kuadër të UNMIK, Hans Hækkerup, për të paralajmëruar për rrezikun e përshkallëzimit të situatës.

“Është e premte, ora pesë dhe kërkova takim urgjent, sepse kishte rrezik që të fillonte një luftë me reperkusione shumë të mëdha. Por më thanë se ai nuk punon të shtunave dhe të dielave”, tregoi Surroi.

Në të njëjtin diskutim, Shala theksoi se konflikti në Maqedoni dhe tensionet në Lugina e Preshevës ishin, sipas tij, pasoja indirekte të ndryshimit të madh të situatës së sigurisë në rajon pas ndërhyrjes së NATO-s dhe vendosjes së KFOR-it në Kosovë në vitin 1999.

Ai shtoi se një nga pretekstet që u përdor për përshkallëzimin e situatës ishte marrëveshja për demarkacionin e kufirit ndërmjet Jugosllavisë dhe Maqedonisë, e cila përfshinte rreth 2200 hektarë territor të Kosovës, pa u konsultuar me institucionet ndërkombëtare që administronin vendin në atë kohë.

Në bisedë u përmend edhe vizita e presidentit amerikan George W. Bush në vitin 2001 në bazën ushtarake Camp Bondsteel në Kosovë. Sipas Shalës, gjatë asaj vizite Bush kishte kërkuar sqarime për situatën në Kosovë, ndërsa një nga diplomatët amerikanë i kishte thënë se çështja në thelb lidhej me pavarësinë e Kosovës.

Shala theksoi se në atë periudhë kishte edhe debate brenda administratës amerikane për praninë ushtarake në Kosovë, pasi Bushi gjatë fushatës zgjedhore kishte paralajmëruar mundësinë e tërheqjes së trupave amerikane. Megjithatë, sipas tij, sekretari amerikan i Shtetit Colin Powell kishte argumentuar se trupat e NATO-s duhet të qëndronin në Kosovë së bashku me aleatët.

Surroi: Kouchneri ka qenë brilant në mbrojtjen e Kosovës

14 o. më parë / 8 mar 2026 20:24
Veton Surroi

Publicisti Veton Surroi ka vlerësuar rolin e ish-administratorit ndërkombëtar në Kosovë, Bernard Kouchner, duke thënë se ai ishte një zë i fuqishëm në mbrojtje të çështjes së Kosovës në arenën ndërkombëtare.

Në një bashkëbisedim në podcastin “PIKË” me aktivistin politik Blerim Shala, Surroi ka thënë se Kouchneri kishte bërë përpjekje të vazhdueshme për të mbajtur vëmendjen e ndërkombëtarëve ndaj Kosovës, përfshirë edhe në forumet më të larta ndërkombëtare.

“Tash për të qenë të drejtë me Kouchnerin, ai është përpjekur gjithmonë të mbajë vëmendjen e bashkësisë ndërkombëtare ndaj Kosovës. Unë kam qenë me të në Këshilli i Sigurimit i OKB-së në New York, kur ai më thirri të marr pjesë teksa mbante fjalim për Kosovën. Ka qenë brilant në mbrojtjen e Kosovës”, deklaroi Surroi.

Ai shtoi se Kouchneri ishte përpjekur gjithashtu të ruante kohezionin mes forcave politike në Kosovë gjatë periudhës së pasluftës, duke organizuar takime dhe aktivitete të ndryshme për të afruar liderët politikë.

Shala u pajtua me këtë vlerësim, duke thënë se Kouchneri ishte një “avokat shumë i mirë” i Kosovës në arenën ndërkombëtare.

Megjithatë, sipas tij, përpjekjet e tij nuk ishin të mjaftueshme për të zgjidhur sfidat e mëdha të pasluftës, në një kohë kur statusi i Kosovës mbetej ende i paqartë dhe procesi politik i pasigurt.


 

Shala: 18 marsi 1999 meriton të quhet “Dita e Kosovës”

14 o. më parë / 8 mar 2026 20:05
Blerim Shala

Aktivisti politik Blerim Shala ka vlerësuar se 18 marsi i vitit 1999 është një nga datat më vendimtare në historinë moderne të Kosovës, duke thënë se kjo ditë meriton të shënohet si “Dita e Kosovës”.
Në një bashkëbisedim në podcastin “PIKË” me publicistin Veton Surroi, Shala ka thënë se 18 marsi 1999 përmbledh në vete shumë prej momenteve historike që kanë ndikuar në fatin e Kosovës.

“Unë veç desha ta bëj një digresion për vlerën dhe rëndësinë e datës 18 mars 1999. Nuk besoj që ka datë më të rëndësishme, më domethënëse e më vendimtare për fatin tonë. Ajo datë i ka përmbledhë të gjitha datat tjera historike në të kaluarën prej vitit 1912 e këndej dhe i ka paralajmëruar datat e tjera të çlirimit dhe pavarësimit të Kosovës”, ka thënë Shala.

Ai rikujtoi se më 18 mars delegacioni i Kosovës kishte nënshkruar Marrëveshja e Rambujesë, duke e cilësuar atë si marrëveshjen e parë kontraktuale ndërmjet Kosovës dhe Perëndimit. Në emër të delegacionit marrëveshjen e kishin nënshkruar Ibrahim Rugova, Hashim Thaçi, Veton Surroi dhe Rexhep Qosja.

“Ajo marrëveshje ka pasë vlerën e marrëveshjes së parë kontraktuale midis nesh dhe Perëndimit, midis nesh dhe Amerikës, midis nesh dhe paktit NATO. NATO nuk do ta sulmonte Serbinë pa atë nënshkrim”, u shpreh Shala.

Ai shtoi se kjo datë nuk shënohet sa duhet në Kosovë, ndonëse sipas tij do të duhej të ishte një nga ditët kryesore në kalendarin historik të vendit.

“Ne gati që nuk e shënojmë atë datë, nuk tubohemi si popull. Do të meritonte të quhej, ta zëmë, ‘Dita e Kosovës’ dhe të jetë në kalendarin e fitoreve tona”, u shpreh Shala.

Ndërkaq, Surroi theksoi se pikërisht aty janë vënë themelet e orientimit euroatlantik të Kosovës.