Këshillat e fshatrave Lloshkobarë, Kosinë, Slivovë dhe Koshare të Komunës së Ferizajt sërish kanë adresuar kërkesë ndaj Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Bifurkacioni” që t’i furnizojë këto lokalitete me ujë të pijshëm, derisa prej më shumë se një muaj është ndërprerë furnizimi.
Ata, ditë më parë i janë drejtuar edhe Prokurorisë Themelore në Ferizaj nëpërmjet një shkrese pas dyshimeve se zyrtarët e Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Bifurkacioni” po e keqpërdorin rrjedhën e ujësjellësit për këto fshatra duke e drejtuar ujin e pijshëm në favor të bizneseve përgjatë rrugës në fshatin Muhoc. Si pasojë e kësaj, këto fshatra pretendojnë se prej kohësh kanë mbetur pa ujë.
“Në cilësinë e banorëve po ua adresojmë disa shqetësime dhe dyshime rreth keqpërdorimit të sistemit të ujësjellësit në zonën tonë, që për pasojë ne nuk kemi ujë as edhe një minutë të vetëm brenda ditës. Dyshimi qëndron se po i ndërrohet rrjedha e ujit përkatësisht po keqpërdoret nga individë brenda Kompanisë ‘Bifurkacioni’, në favor të disa bizneseve (moteleve) në fshatin Muhoc e, që ne banorët e fshatrave Lloshkobare, Kosinë, Slivovë e Koshare po i bartim pasojat”, thuhet midis të tjerash në shkresën e banorëve dërguar Prokurorisë.
Hysen Reshani, kryetar i fshatit Kosinë, ka thënë për Kohen se prej më shumë se një muaj është ndërprerë furnizimi i ujit, ndërkohë në kompaninë “Bifurkacioni” thonë se nuk kanë marrë përgjigje.
“Jemi detyruar t’i drejtohemi edhe Prokurorisë sepse në kompaninë e ujësjellësit nuk kanë dhënë përgjigje pse është ndërpre uji i pijshëm prej një muajsh. Ne dyshojmë se zyrtarët e kësaj kompanie po e ndërprejnë furnizimin e ujit me qëllim që të furnizohen disa biznese në drejtim të fshatit Muhoc. Prandaj ne kërkojmë edhe një herë nga Kompania ‘Bifurkacioni’ që ta lëshojë ujin e pijshëm për këto lokalitet, sepse është shumë shqetësuese që gjatë sezonit veror të kemi ndërprerje kaq të gjata”, ka thënë Reshani.
Sipas tij, banorët pajtohen nëse reduktimet mund të zgjasin 2 deri në 4 orë gjatë ditës por në asnjë mënyrë nuk pajtohen që ndërprerja të zgjatë me muaj.
Shukri Jashari, kryeprokuror në Prokurorinë Themelore në Ferizaj, ka thënë se ka pranuar një shkresë nga banorët për t’i hetuar disa zyrtarë përgjegjës në Kompaninë “Bifurkacioni” pas dyshimeve të banorëve për keqpërdorim të rrjedhës së ujit. Sipas tij, kërkesa e tyre menjëherë ka hyrë në procedim.
“Pas pranimit të shkresës së banorëve menjëherë e kam autorizuar Policinë e Krimeve Ekonomike që të merren me këtë rast dhe të hetohen zyrtarët ndaj të cilëve banorët po dyshojnë se kanë keqpërdorur rrjedhën e ujit të pijshëm për t’i favorizuar bizneset duke ua ndërprerë ujin qytetarëve. Ky rast tashmë është proceduar, ndërkaq zyrtarët kompetentë do ta trajtojnë në mënyrë profesionale”, ka thënë Jashari.
Ndërkohë, drejtori i Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Bifurkacioni” , Nazif Asllani, i ka hedhur poshtë pretendimet e banorëve me arsyetim se në këtë zonë ka mungesë të ujit si pasojë e keqpërdorimeve të mëdha.
“Në fshatin Kosinë dhe Muhpoc i kemi puset e hapura për furnizim të ujit, të cilin e bartim me pompa deri në kodër, ndërkohë me rënie të lirë furnizohen së paku katër fshatra. Kohëve të fundit si pasojë e keqpërdorimeve të ujit ka mungesë të sasisë, andaj shtypja e ujit është e vogël për këto fshatra, ndërkaq sa i përket fshatit Kosinë si pasojë e largësisë ka telashe më të mëdha. Por, në asnjë mënyrë nuk guxon asnjë punëtor ta keqpërdor rrjedhën e ujit për t’i favorizuar bizneset. Prokuroria dhe organet tjera kanë të drejtë ta hetojnë rastin”, ka sqaruar Asllani.
Ai ka kërkuar nga qytetarët të mos e keqpërdorin ujin e pijshëm për t’i ujitur hapësirat gjelbëruese dhe për t’i mbushur pishinat personale me ujë.
“Jemi duke bërë përpjekje që së shpejti t’i hapim edhe dy puse të reja për furnizim dhe po besoj se nuk do të ketë telashe të tilla”, ka sqaruar ai.