Artan Alijaj, njohës i politikës, ka thënë se nuk mund të pritet sërish bllokadë institucionale si vitin e kaluar me numrat që ka Lëvizja Vetëvendosje si partia më e madhe pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit.
Ai ka theksuar se për dallim nga shkurti 2025, këtë herë “nuk ka arsye për skena të tilla” bllokade politike. Sipas tij, testi i parë dhe më i rëndësishëm tani do të jetë zgjedhje e presidentit.
“Si shtet i ri kemi pasur problem të mësohemi me praktikat kushtetuese dhe demokratike por të gjitha këto kriza na kanë kalitur që në të ardhmen të mos i përsërisim gabimet e njëjta”, ka thënë ai.
Jakaj: Vlerësimi i Bashës për aktgjykimin është politik, ai ka mandat për interpretim brenda seancës së Kuvendit
Naim Jakaj hulumtues në IKD, e ka quajtur politik qëndrimin e kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha i cili e quajti jokushtetues aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese për zgjedhjen e Nenad Rashiqit si nënkryetar të Kuvendit.
Jakaj në emisionin “Konfront” në KTV, ka thënë se në postimin e Bashës në Facebook ka sinjale edhe se do të veprohet sërish njësoj kur të vie radha e zgjedhjes së nënkryetarit të Kuvendit të Kosovës nga komuniteti serb.
“Ai ka mandat të interpretojë vetëm brenda seancës ndërsa jashtë seancës vendimet janë për palë të autorizuara. Është qëndrim politik dhe ta lexosh postimin e tij, shihet se ka indikacione që do të veprohet sërish njëjtë”, ka thënë Jakaj.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, ka thënë se vendimi i Gjykatës Kushtetuese, e cila konstatoi se zgjedhja e Nenad Rashiqit në pozitën e nënkryetarit të Kuvendit ka qenë antikushtetuese, është në shpërputhje me Kushtetutën.
Basha i ka quajtur konstatimet e Kushtetueses të pabaza dhe ka thënë se procedura për zgjedhjen e Rashiqit është në përputhje të plotë me Rregulloren e Kuvendit dhe Kushtetutën.
Bajraktari: Përkundër retorikës, pres respektim të aktgjykimit
Juristi Ardian Bajraktari pret që ligjvënësit të respektojnë aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese në legjislaturën e re, derisa ka përmendur reagimin e kryetarit të Kuvendit, Dimal Basha, i cili tha se vendimi i Kushtetueses lidhur me zgjedhjen e Nenad Rashiqit nënkryetar është në kundërshtim me Kushtetutën.
Bajraktari ka theksuar se nëse nuk respektohet aktgjykimi, situata mund të vijë sërish deri të moskonstituimi i Kuvendit.
“Është bërë praktikë qoftë e mosrespektimit të afateve qoftë veprimeve në shpërputhje me Kushtetutën pastaj për të gjetur justifikime çfarëdo qofshin ato, me sa e pamë reagimin e Bashës. E rëndësishme është që janë thekse të dispozitivit të atij që është i natyrës konstatuese dhe urdhëruese se si të veprohet në trë ardhmen. Përkundër kësaj retorike që mund ta kemi në ditët në vazhdim, në seancë pres zbatim të aktgjykimit sepse nëse do të ketë veprim ndryshe i bie shpërputhje, shkelje e Kushtetutës dhe mund të vjen situata që ta ridërgojnë çështjen në Kushtetuese dhe të mos kemi konstituim të Kuvendit”, ka thënë ai.
Alijaj për vonesën e vendimit: Gjykata Kushtetuese nuk ka reaguar kur është dashur
Artan Alijaj, njohës i politikës, ka thënë se vendimi i Gjykatës Kushtetuese mbi zgjedhjen e Nenad Rashiqit nënkryetar i Kuvendit vitin e kaluar është i vonshëm.
Ai ka theksuar se shteti ka qenë në situatë emergjente politike vitin e kaluar, për çka sipas tij, Gjykata Kushtetuese është dashur të dalë me vendim më shpejt.
“Vlen të përmendet vonesa që është shkaktuar me marrjen e këtij vendimit. Kemi pasur të bëjmë me situatë emergjente politike në vend ku gjykatës i është kërkuar të marrë masë të përkohshme, dhe Gjykata Kushtetuese nuk ka reaguar fare dhe tash ka japë një njoftim që thotë se nuk ka pasur bazë për masë të përkohshme”, ka thënë ai në Konfront.
Gjykata Kushtetuese e ka shpallur antikushtetuese zgjedhjen e Nenad Rashiqit nënkryetar të Kuvendit, pas ankesës së Listës Serbe lidhur me seancën e 10 tetorit. Sipas aktgjykimit, u shkel Kushtetuta dhe Rregullorja e Kuvendit, pasi Rashiqi nuk u propozua nga shumica e deputetëve të komunitetit serb. Në aktgjykim thuhet po ashtu se as Lista Serbe si shumicë nga komuniteti serb nuk i përdori mekanizmat debllokues për ta konstituuar Kuvendin.
Bajraktari: Shorti për nënkryetarin e Kuvendit ishte i panevojshëm meqë pati propozim
Juristi Ardian Bajraktari e cilësoi si të panevojshëm procesin e shortit në kohën kur u zgjodh nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Nenad Rashiq.
Sipas Bajraktarit ndonëse konsiderohet si mekanizëm zhbllokues kur nuk ka kompromis te komunitetet, në këtë rast nuk ishte i nevojshëm përderisa erdhi propozimi.
“Këto mekanizma debllokues i ka paraparë edhe Rregullorja e Punës së Kuvendit, i ka rikonfirmuar edhe Gjykata Kushtetuese që kur nuk ka kompromis mes të grupacioneve të komuniteteve vjen në shprehje propozimi përmes shortit gjë që u konsumua por pa të drejtë. Në instancë të fundit nga komuniteti përkatës pati një propozim dhe kjo në një farë forme e konfirmon faktin që ka pasur edhe insistime ose propozime dhe natyrisht shorti qe i panevojshëm përderisa erdhi propozimi”, ka deklaruar Bajraktari.
Tutje sipas juristit Bajraktari, Gjykata Kushtetuese me aktvendimin e fundit e ka konfirmuar edhe që Lista Serbe nuk mund të jetë bllokuese e Kuvendit të Kosovës.
“Një gjë tjetër e konfirmoi Gjykata Kushtetuese që komunitetet nuk mund të jenë bllokuese përderisa i kanë këto të drejta. Në rast se deputetët e Listës Serbe nuk do të propozonin emër të nënkryetarit atëherë nuk do të mund të konsiderohej që janë bllokues sepse një e drejtë nuk mund të shkonte deri aty sa të jenë bllokues”, ka thënë Bajraktari në emisionin "Konfront" në KTV.