Arbëri

Kosova duhet t’i kapitalizojë mesazhet e kancelarit Scholz, thonë analistët

Rikthimi i vëmendjes së Gjermanisë nga Ballkani Perëndimor po shihet si mundësi e mirë që Kosova t’i përmbyllë çështjet e hapura dhe ta përshpejtojë rrugën drejt integrimit në Bashkimin Evropian. Sipas analistëve, mesazhi i Scholzit në takim me Kurtin për përmbylljen e dialogut me njohje reciproke duhet të shoqërohet edhe me veprime konkrete drejt arritjes së këtij qëllimi

Mesazhe që duhet kapitalizuar dhe trajtuar me seriozitetin më të madh edhe në kontekst të zhvillimeve gjeopolitike po konsiderohen porositë që la në Prishtinë kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz. Angazhim në dialog që duhet të përfundojë me njohje reciproke me Serbinë e dinamizim të nismave rajonale, ishin çështjet që Scholz i përmendi në takim me kryeministrin Kurti.

Arbër Fetahu nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike thotë se mesazhet e kancelarit ishin pozitive, pasi prekën fusha për të cilat Kosova ka nevojë t’i përmbyllë.

“Mesazhi i zotit Scholz që dialogu me Serbinë duhet të avancojë dhe të përfundojë me njohjen reciproke, pasi që nuk mund të anëtarësohen në BE pa e njohur njëra-tjetrën, besoj se është një mesazh shumë i rëndësishëm dhe pozitiv, të cilin Kosova duhet ta shfrytëzojë dhe ta ketë sa më shumë pjesë të narracionit të saj. Po ashtu edhe të përgatitet mirë që ta vendosë sa më në theks edhe me partnerët e tjerë ndërkombëtarë, por edhe karshi Serbisë në tavolinën e bisedimeve”, ka thënë Fetahu për KOHËN. “Është një mesazh pozitiv marrë parasysh se Bashkimi Evropian si entitet i veçantë kurrë nuk e ka thënë në mënyrë eksplicite që dialogu për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë e ka në qendër njohjen apo si epilog të saj do ta ketë njohjen reciproke. Kur vjen nga një shtet si Gjermania, që është ndër më të fuqishmet e BE-së, është mesazh pozitiv dhe në kohën e duhur kur kemi një lloj turbulence gjeopolitike në Evropë me tentimin për aneksim të Ukrainës nga Rusia”.

Kosova është rreshtuar krah Perëndimit në vendosjen e sanksioneve Rusisë pas agresionit mbi Ukrainën, dhe për këtë u përgëzua edhe nga kancelari gjerman.

Ndërkaq korrespodenti i KOHËS në Bruksel, Augustin Palokaj, vlerëson se përveç mesazheve pozitive, Gjermania duhet të ndikojë te lehtësuesit e dialogut që ai të jetë më produktiv.

“Kancelari gjerman në Prishtinë ka shprehur qëndrime politike dhe ato janë jashtëzakonisht të rëndësishme, si për dialog, si për njohje, ashtu edhe për liberalizimin e vizave. Por për t’u shndërruar në rezultate konkrete tash duhet që Gjermania të angazhohet konkretisht në institucionet e Bashkimit Evropian, sidomos për ta shtyrë përpara vendimin për liberalizimin e vizave”, ka thënë Palokaj.

Ai ka shtuar se është shumë i rëndësishëm edhe prononcimi i kancelarit Scholz për njohjen mes Kosovës dhe Serbisë si kusht për integrim në Bashkimin Evropian.

Gjermania si një vend që ka mbështetur fuqishëm dhe vazhdon të mbështesë përfaqësuesin e posaçëm për dialog, Miroslav Lajçak, duhet të ndikojë më shumë në procesin e dialogut në mënyrë që të bëhet e qartë se cili është qëndrimi dhe cili është qëllimi i këtij dialogu. Deri më tash në BE vazhdojnë të jenë me një ambiguitet sa i përket qëllimit të dialogut dhe kjo i ka mundësuar Serbisë që të evitojë çështjen e njohjes”, ka theksuar Palokaj.

Kancelari gjerman përmendi edhe nismat rajonale, me theks të veçantë Procesin e Berlinit, derisa nuk ishte i prerë nëse “Ballkani i Hapur” e minon atë.

“Pati një lloj theksi nga zotëri Scholz, ku nën rreshta më shumë e preferoi Procesin e Berlinit, por nuk e hodhi poshtë as Ballkanin e Hapur. Ai ishte diplomatik në trajtimin e kësaj nisme duke thënë se tregu i përbashkët rajonal është diçka shumë e nevojshme për Ballkanin Perëndimor”, ka thënë Fetahu. Sipas tij, mesazh i rëndësishëm ishte edhe konstatimi që Kosova e meriton liberalizimin e vizave, “ndonëse është një kontekst që pak a shumë i prek edhe shtetet e tjera të BE-së që kanë autonomi vendimmarrëse”.

Ky është takimi i dytë mes Kurtit e Scholzit brenda një periudhe të shkurtër pas atij të zhvilluar në Berlin.