Arbëri

Alijaj: Nëse Kuvendi s’arrin ta konstituojë veten, atëherë duhet të shkojmë në zgjedhje

Njohësi i çështjeve politike, Artan Alijaj, ka thënë se nëse deputetët nuk arrijnë ta konstatojnë Kuvendin, atëherë ata nuk kanë legjitimitet dhe duhet të kërkojnë legjitimitet të ri në zgjedhje të reja.
Sipas tij do të ishte e logjikshme që pas kalimit të afatit kushtetues 30-ditor vendi të shkojë në zgjedhje. 

“Nëse Kuvendi nuk është në gjendje që ta konstituojë vetveten, ata nuk kanë më legjitimitet, dhe duhet të kërkojnë legjitimitet të ri, jemi në një situatë ku kemi dy palë të ndryshme, që kanë qëndrime të ndryshme për të njëjtën temë”, ka theksuar Alijaj në një intervistë në emisionin “60 Minuta” në KTV. 

“Do të ishte e logjikshme që pas kalimit të afatit kushtetues, të shkohet në zgjedhje, tash varet edhe nga ajo se çfarë do të sqarojë Gjykata Kushtetuese, në një vendim të ardhshëm rreth pyetjes së presidentes, mirëpo unë besoj që direktiva do të jetë që presidentja do të lejohet që të bëjë thirrje për zgjedhje të jashtëzakonshme në rast se afatet kushtetuese nuk janë zbatuar dhe Kuvendi në tentativë ka bërë shkelje”, ka deklaruar ai, duke shtuar se aktualisht presidentja, Vjosa Osmani, pa një vendim të Kushtetueses, nuk mund të ndërmarrë asnjë hap për shpallje të zgjedhjeve të jashtëzakonshme.  


Alijaj: Kemi pasur ndërhyrje edhe më të rënda në foltore e seancat s’janë ndërprerë

Ai ka folur edhe për zhvillimet në seancën konstituive të Kuvendit, vazhdimi i 51-të i së cilës u ndërpre pasi deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, u përplas me kryesuesin e seancës, deputetin e Vetëvendosjes, Avni Dehari. 

Alijaj ka thënë se seanca nuk është dashur të ndërpritet për këtë arsye. 

“Nuk ka pasur arsye që seanca të ndërpritet për shfaqjen e zonjës deputete, mirëpo zotëri Dehari shihet që nuk ka aftësi për menaxhimin e seancave të Kuvendit të Kosovës, e dimë që ai nuk është i zgjedhur aty, është aty vetëm për shkak të moshës dhe ndoshta edhe mosha po e pengon në menaxhimin si duhet të seancës”, ka deklaruar Alijaj.  

Ai ka thënë se ka pasur raste kur ndërhyrjen kanë qenë edhe më të renda e seanca nuk është ndërprerë.

“Kemi pasur raste kur ndërhyrjet në foltore ose grabitja e mikrofonit të kryetarit të Kuvendit kanë qenë skena edhe më të rënda dhe nuk është ndërprerë seanca, në kushte normale nuk do të duhej të ndërpritej seanca për atë arsye. Ndoshta më në fund po shohim edhe pak aksion nga partitë opozitare pasi që deri tash kanë qenë ‘shumë të sjellshme’ në paraqitjet e tyre në Kuvend. Bazuar në të kaluarën, si kanë vepruar partitë politike, edhe vetë Lëvizja Vetëvendosje, kur në seanca nuk ka shkuar diçka siç ata vetë kanë dashur, reagimi ka qenë krejt tjetër”, është shprehur ai.