Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Alarmohet për zjarre

zjarr

Foto: Ilustrim

Temperaturat e larta, thatësira dhe sezoni pas korrje-shirjeve janë disa nga faktorët nga të cilët vendi rrezikohet nga zjarret, kanë thënë në Agjencinë e Menaxhimit Emergjent. Autoritetet kanë bërë thirrje për kujdes të shtuar, sidomos gjatë kësaj periudhe, për të cilën thonë se rreziku për përhapjen e zjarreve është më i lartë. E Bashkimi Evropian ka paralajmëruar se një tjetër valë e madhe e të nxehtit po afrohet pas rekordeve të qershorit

Ilirjana Thaqi                                

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Derisa një pjesë e Evropës dhe rajonit po përballen me zjarre të shumta nga temperaturat e larta, në Agjencinë e Menaxhimit Emergjent thanë se edhe Kosova mund të rrezikohet nga to, sidomos pas sezonit të korrjeve-shirjeve.

AME-ja ka bërë të ditur të mërkurën se nga janari deri në maj të këtij vitit janë shkaktuar 2088 vatra zjarri, e për këtë kanë kërkuar më shumë kujdes. Në këtë institucion, kanë treguar po ashtu edhe se çka ndikon më shumë në rritjen e numrit të zjarreve.

“Gjatë sezonit të nxehtë, rastet më të shpeshta mbeten zjarret fushore, ato të (mbetjeve bujqësore) hamulloret, të cilat jo rrallë shtrihen edhe në zjarret pyjore. Shpesh, gjithçka fillon nga një zjarr i vogël për pastrimin e mbeturinave apo hapësirave bujqësore, i cili nën ndikimin e temperaturave të larta dhe erërave përhapet me shpejtësi”, kanë thënë në AME.

Sipas zyrtarëve të kësaj Agjencie, në vitin e kaluar janë djegur 4566 hektarë të tokës bujqësore.

E komandanti i Zjarrfikësve në Prishtinë, Malë Gashi, u ka bërë thirrje qytetarëve për kujdes duke shtuar se një shkëndijë e vogël mund të kthehet në një zjarr të madh.

“Qytetarët duhet të shmangin ndezjen e zjarreve në ambiente të hapura, të mos hedhin cigare të ndezura në natyrë, të mos hedhin mbeturina në natyrë dhe të raportojnë menjëherë çdo vatër zjarri. Gjithashtu, gjatë intervenimeve është e rëndësishme të respektojnë udhëzimet e zjarrfikësve, të mos bllokojnë rrugët e kalimit të mjeteve emergjente dhe të mos rrezikojnë jetën duke u afruar pranë zonave të përfshira nga zjarri”, ka thënë Gashi.

Në Institutin Hidrometeorologjik (IHMK) kanë bërë të ditur se nga java e ardhshme vendi hyn në periudhën më të ndjeshme me temperatura me të larta, të cilat mund të ndikojnë edhe në përhapjen e zjarreve.

“Bazuar në karakteristikat klimatologjike të Kosovës, gjysma e dytë e korrikut dhe pjesa më e madhe e gushtit zakonisht përfaqësojnë periudhën me potencialin më të lartë për paraqitjen dhe përhapjen e zjarreve. Ndërsa rajonet më të ekspozuara janë zonat me klimë më të ngrohtë dhe me mbulesë të dendur bimore, veçanërisht: Rrafshi i Dukagjinit (Prizren, Gjakovë, Rahovec, Suharekë, Malishevë, Klinë, Istog, Pejë dhe Anamorava)”, ka thënë Besim Aliu, meteorolog në IHMK.

Ndërkaq, ambientlisti Valon Raka ka deklaruar se duhet bërë diçka më shumë në parandalim, pasi zjarret po ndikojnë drejtpërdrejt në bujqësi dhe rezervat ujore.

“Sektori i bujqësisë dhe blegtorisë po pëson humbje të mëdha. Shumë familje në zonat rurale varen nga kullosat për bagëtinë dhe nga produktet e pyllit. Zjarret paraqesin rrezik edhe për shëndetin publik, pasi tymi toksik dhe grimcat e rrezikshme përhapen në ajër. Në rrezik janë edhe rezervat ujore, pasi hiri dhe toksinat nga zonat e djegura mund të përfundojnë në ujë”, ka thënë Raka.

E tash e disa ditë Shqipëria po përballet me vatra të shumta të zjarrit.

Sipas Ministrisë së Brendshme, në këtë shtet temperaturat e larta dhe erërat kanë shkaktuar 127 raste zjarri, për çka është dashur edhe evakuimi i disa banorëve në zonën e Fierit. Në këtë zonë zjarri ka përfshirë sipërfaqe të pyllëzuara në afërsi të fshatrave.

E një zjarr me përmasa të mëdha përfshiu gjatë natës zonën e Porto Palermos, në Bashkinë Himarë.

Ndërkaq, Bashkimi Evropian ka paralajmëruar se një tjetër valë e madhe e të nxehtit po afrohet pas rekordeve të qershorit.