Arbëri

Agjenci e veçantë për presionet e jashtme që rrezikojnë sigurinë e vendit

Ministria e Mbrojtjes dhe FSK-ja do të pajisen me Agjenci për Inteligjencë, e cila do të ketë për mision grumbullimin e informacioneve për ushtritë dhe sistemet mbrojtëse të vendeve të tjera, si dhe për presionet e jashtme të cilat mund të ndikojnë ose rrezikojnë sigurinë e mbrojtjes. Anëtarë të Komisionit për Çështjet e Sigurisë dhe të Mbrojtjes kanë thënë se drafti nuk u ka shkuar ende për trajtim, teksa kanë dhënë vërejtje sa i përket përmbajtjes së dokumentit

Kornizës ligjore në fushën e Inteligjencës së Ministrisë së Mbrojtjes dhe Forcës së Sigurisë do t’i shtohet Ligji për Agjencinë e Mbrojtjes për Inteligjencë dhe Siguri (AMIS).

Qëllimi i këtij projektligji është përcaktimi i organizimit, funksionimit, misionit dhe autorizimeve të Agjencisë që të rregullojë veprimtarinë ndaj organizatave apo individëve të cilët cenojnë sigurinë e mbrojtjes së Kosovës.

Neni 4 i projektligjit mbështet autoritetet e Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së në kryerjen e misionit të tyre kushtetues dhe ligjor me inteligjencë, kundërinteligjencë dhe siguri.

Sa u përket parimeve, veprimtaria e Agjencisë realizohet në bazë të ligjshmërisë, respektimit të të drejtave themelore të njeriut; pavarësi, si dhe ruajtje të informacionit të klasifikuar.

Sipas projektligjit, Agjencia u nënshtrohet kontrollit civil demokratik dhe kontrollit të Kuvendit përmes komisionit përkatës mbikëqyrës.

Detyrat që i përshkruhen kësaj agjencie janë: grumbullimi, analizimi, përpunimi dhe vlerësimi i informacioneve për ushtritë dhe sistemet mbrojtëse të vendeve të tjera. Po ashtu, do të merret me presionet e jashtme të cilat mund të ndikojnë ose rrezikojnë sigurinë e mbrojtjes dhe për aktivitetet ndërkombëtare të drejtuara kundër sigurisë së Kosovës. Kjo agjenci e bën pastërtinë e figurës së personelit të Ministrisë së Mbrojtjes, si dhe të kandidatëve që aplikojnë për punësim në këto institucione.

Aty definohet edhe bashkëpunimi me shërbimet e huaja të sigurisë, inteligjencës dhe shërbimet e tjera përkatëse përmes shkëmbimit të informacionit, pajisjeve, përmes kryerjes së përbashkët të aktiviteteve dhe edukimit të punonjësve.

Ministri i Mbrojtjes është autoriteti më i lartë përgjegjës për veprimtarinë e AMIS-it dhe raporton para kryeministrit për drejtimin dhe zbatimin e politikave shtetërore. Po ashtu, kjo agjenci miraton kërkesat strategjike vjetore për inteligjencë; informon Kuvendin, presidentin e Republikës dhe kryeministrin për aktivitetin e AMIS-it; si dhe raporton te Komisioni Parlamentar sipas kërkesës.

Neni 16 u referohet burimeve dhe grumbullimit të informacionit. Agjencia mund të përdorë dhe shfrytëzon për grumbullim informacioni, burime njerëzore, burime sinjalore, burime të hapura, burime hartografike dhe fotografike. Në kryerjen e detyrave dhe përgjegjësive të veta, Agjencia mund të mbledhë informacion, duke fshehur arsyet për mbledhjen e tij për shkak të natyrës sekrete, nëpërmjet: “2.1. krijimit të kontakteve të fshehta me individë person fizik brenda dhe jashtë vendi; 2.2. bashkëpunimit me individë me vullnetin e tyre të lirë; 2.3. krijimit dhe përdorimit të sistemit të informacionit për avancimin e mbledhjes së inteligjencës”.

Agjencia mund ta zbatojë masën e fshehjes së pronësisë së sendeve dhe personave juridikë, masën e fshehjes së identitetit të vërtetë të punonjësve të tyre dhe personave të tjerë, të fshehë qëllimin e mbledhjes së të dhënave dhe kur është e nevojshme të përdorë shërbime sekrete të personave juridikë dhe individëve me kompensim.

Por përgjimi në vende jopublike, apo ku palët mund të presin me arsye të kenë privatësi, përgjimi i telekomunikacioneve, si dhe hyrja në pronë pa pajtimin e pronarit apo banuesit të përkohshëm- mund të bëhet vetëm në rastet kur ka autorizim paraprak nga një gjyqtar i Gjykatës Supreme që do të jepet vetëm pas shqyrtimit të kërkesës me shkrim.

Në kuadër të ndarjeve buxhetore, deri në 20 për qind e buxhetit do të ndahet për Fondin Special Operativ (FSO) me vendim të kryeministrit pas propozimit nga ministri i Mbrojtjes.

Aty përcaktohen edhe kriteret e pranimit për aplikantë në konkursin e jashtëm që krahas atyre bazike, kandidati duhet të kalojë nivelin e verifikimit dhe pastërtisë së figurës.

Punonjësi i Agjencisë përveç pagës, shtesës në pagë, ka të drejtë edhe në shtesa të tjera, për shkak të natyrës së veçantë të punës dhe vështirësive të shërbimit. Punonjësit e kësaj agjencie do të trajnohen dhe certifikohen për t’u pajisur me armatim personal. Ata do të jenë të autorizuar t’i përdorin forcën, armët e zjarrit, mjetet dhe pajisjet që i ka në përdorim, me qëllim të përmbushjes së autorizimeve dhe detyrave të dhëna.

Ndërkaq neni 33 parasheh edhe kompensim të veçantë për familjen e punonjësit të Agjencisë, që humb jetën në detyrë ose për shkak të saj.

Drafti, i cili duhet të kalojë në konsultim publik nuk u ka shkuar ende deputetëve të Kuvendit. Por anëtarë të Komisionit për Çështjet e Sigurisë dhe Mbrojtjes kanë thënë se janë njoftuar për projektligjin nga ana e ministrit.

“Na kanë njoftuar se janë në përgatitje të Agjencisë, që është e kualifikuar për transicionin e FSK-së, por si draft nuk është sjellë ende në Komision. Pra, ende formalisht nuk është ndërmarrë asgjë, nuk ka kaluar në procedurë formale”, ka thënë anëtari i Komisionit, Hisen Berisha (PDK). “Është punë që po e bën Agjencia. Por nuk është dërguar në Komision për shikim, vlerësim, analizë në Komision. Me aq sa kam parë nga ky takim, kam vërejtje në aspektin teknik sa i përket përmbajtjes, por jo sa u përket strukturës, misionit dhe detyrave të Agjencisë. Por ato do t’i japim me shkrim kur të vijë drafti në Komision”. Një agjenci të ngjashme e ka edhe Shqipëria.