Arbëri

“A i ke kthy 200 mijë euro?”, deputeti i LDK-së kapet me Fitore Pacollin

Paris Guri

Paris Guri, deputet i LDK-së

Foto: Driton Paçarada

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Paris Guri, u përplas me deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje gjatë seancës konstituive të mërkurën. Gurit iu dha fjala tri herë nga kryesuesi Avni Dehari dhe vazhdimisht pyeste deputeten e Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli, se “a i ke kthy 200 mijë euro?”.

Guri e mori fjalën pasi kryesuesi Dehari kërkoi nga LDK-ja ta propozojë një anëtar për komisionin për votim të fshehtë.

Guri, pasi mori fjalën, reagoi ndaj komenteve të deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje nga ulëset e tyre. “A jeni mirë? Çka keni? Qetësohuni! Mos bërtitni si fëmija se i keni do vjet. Qetësohu! Dimal, qetë…”, u shpreh ai në foltore.

Pas një ndërhyrjeje nga regjia, me kërkesë të Deharit, për të ndërprerë mikrofonin, meqë nuk po fliste për temën e kërkuar, Guri kërkoi sërish fjalën dhe iu lejua përsëri të flasë nga kryesuesi.

Në vazhdim të deklaratave të tij, ai iu drejtua deputetes së LVV-së, Fitore Pacolli, duke thënë: “Fitore, çka po keshë ti? A i ke kthy 200 mijë euro? Mos kesh Fitore se marre. Ani ti Halil, ti rri (Thaçi v.j.). Oj Fitore, mos bërtit moj! A i ke kthy 200 mijë euro?”.

Kryesuesi Dehari ndërhyri dhe i kërkoi atij që të japë vetëm propozimin, pa komente shtesë. Por Guri reagoi afër mikrofonit të kryesuesit: “Cirk. Qysh me folë para cirkut?”, duke shprehur pakënaqësinë për atmosferën në sallë.

Pas dhënies së fjalës për herë të tretë, Guri vazhdoi me deklarata të drejtuara Pacollit: “Oj Fitore, mos bën me duar. Ktheji 200 mijë euro”.

Kryesuesi i seancës, Avni Dehari, ndërhyri përfundimisht duke kërkuar ndërprerjen e mikrofonit për deputetin e LDK-së.

“Ndërpritet, të lutem, ndërpritet telefoni dhe nuk ka mundësi të vazhdohet më tutje”, thotë Dehari.

Paris Guri e Egzon Pacolli nga Forumi i Rinisë së LDK-së patën dorëzuar kallëzim penal ndaj ministrit në detyrë të Bujqësisë, Faton Peci dhe Pacollit në nëntor të vitit 2024 pasi pretendonin se vëllai dhe daja i deputetes së VV-së kishin përfituar grante nga 100 mijë euro. Ata thonin se është e papranueshme “që familjarët e deputetes të marrin grante në vlerë prej 100.000 euro”.

Përgjigjja e Pacollit

Deputetja Pacolli ka reaguar në Facebook pas fjalimit të Gurit në foltoren e Kuvendit. Ajo ka thënë se nuk ka asgjë të vërtetë në pretendimin për 200 mijë eurot e përmendura prej Gurit.

“Deputeti mirë do të ishte t'i kërkoj, siç ka kërkuar Kryeministri Kurti, nga pronari i korporatës Devolli që t’ia kthejë Telekomit të Kosovës 62.6 milionë euro që ia ka vjedh. Ai më kërkon mua të kthej 200 mijë euro për të cilat edhe ai e din që nuk ka asgjë të vërtetë aty. Devollit nuk guxon, prandaj nuk ia kërkon. Devolli i ka financuar dhe i financon atë dhe kolegët e tij të jenë në Kuvend”, ka shkruar ajo.

Ganimete Musliu: Kusari, Gërvalla e Pacolli bullizuan deputetin Guri për emrin dhe moshën e tij

Në një reagim të mëvonshëm, deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu akuzoi deputetet e LVV-së, Donika Gërvallën, Mimoza Kusari-Lilën dhe Fitore Pacollin se gjatë tërë kohës bullizuan me deputetin Paris Guri, kur ai mori fjalën në Kuvend.

Musliu e konsideroi këtë të papranueshme, duke thënë se një deputet i ri si Guri “në vend që të inkurajohej dhe të mbështetej në hapat e parë të tij në Kuvend, u përball me një fushatë të organizuar talljeje dhe ofendimi, jo për përmbajtjen e fjalës së tij, por për emrin dhe moshën e tij”.

“Deputetet e Vetëvendosje si Bulizues Kolektiv, shembulli i Sotëm në Kuvend. Sot në foltoren e Kuvendit të Kosovës u pa qartë se sa larg është gatshme të shkojë Vetëvendosje në bullizim kolektiv. Ky është një akt i dënueshëm në vetvete, por bëhet edhe më i shëmtuar nga fakti se në ballë të kësaj fushate bullizuese ishin tri gra: Mimoza Kusari, Donika Gërvalla dhe Fitore Pacolli”, ka shkruar ajo në Facebook.

Një veprim i tillë, sipas Musliut, jo vetëm që shkel parimet bazë të etikës parlamentare, “por dërgon edhe një mesazh të rrezikshëm për rininë e angazhuar në politikë, se në vend të inkurajimit, do të përballen me përbuzje e përqeshje”.

“Qasja e Vetëvendosjes ndaj një deputeti të ri është e frikshme dhe e papranueshme. Nëse një emër ose një moshë e re është arsye për t’u përbuzur në Kuvend, atëherë çfarë mesazhi u jepet të rinjve që duan të kontribuojnë për vendin?”, ka shkruar ajo.