Rreth 300 familje të fshatit Krojmir të Komunës së Lipjanit që nga e mërkura po përballen me mungesë të energjisë elektrike si pasojë e një aksidenti i cili ka dëmtuar trafon e fshatit.
Banorët janë ankuar se kërkesat e tyre nuk po shqyrtohen me urgjencë nga KEDS-i për vendosjen e trafos së re.
Ata kanë thënë se aksidenti është shkaktuar nga një rimorkio transportuese e cila gjatë natës të së mërkurës kishte qëndruar e parkuar në pjesën e epërme të fshatit, ndërkohë ajo kishte lëvizur në drejtim të shtëpive duke i rrezikuar banorët.
Isuf Rizani, banor i këtij fshati ka thënë se një kompani e cila është duke e ndërtuar rrugën Krojmir-Javor ditë më parë e ka lënë këtë rimorkio në pjesën e epërme të fshatit.
“Rimorkio ka lëvizur vet nga pjesa e epërme dhe ka ardhur në drejtim të shtëpive me shpejtësi të madhe duke i rrezikuar banorët dhe në fund është ndaluar në trafon e rrymës. Si pasojë e kësaj që nga e mërkura jemi pa energji elektrike dhe sipas zyrtarëve të KEDS-it procedurat për ndërrimin e trafo mund të zgjasin shumë. Ne kërkojmë që sa më shpejtë të kemi rrymë sepse jemi taksapagues, ndërkohë organet tjera le të merren me rastin e dëmtimit të trafo”, ka thënë Rizani.
Ndërkaq Viktor Buzhala, zëdhënës i KEDS-it në një përgjigje për KOHËN ka thënë se dëmet në këtë rast janë të mëdha, ndërkohë pritet që gjatë ditës të finalizohen punimet derisa ekipet janë duke punuar në terren.
“Ekipet tona janë atje duke punuar. Dëmet janë të mëdha dhe duhet të ndërtohet komplet nënstacion i ri. Jemi duke e bërë maksimumin që të kryhet në kohën më të shkurtër të mundshme”, ka thënë Buzhala.
Sipas burimeve në Stacionin e Policisë në Lipjan, rasti në procedurë të rregullt, ndërkaq sipas ligjeve në fuqi do bëhet edhe kompensimi i dëmeve.