Asociacioni Rinor për të Drejtat e Njeriut “YAHR” ka publikuar raportin e monitorimit të Kuvendit Komunal të Lipjanit, Shtimes dhe Fushë-Kosovës për periudhën janar – qershor të këtij viti.
Sipas raportit të kësaj OJQ-je, gjatë pjesës së parë të vitit 15 asamblistë janë treguar “pasivë” derisa nuk u është dëgjuar asnjëherë zëri në mbledhje të kuvendeve komunale.
Kjo OJQ ka njoftuar se raporti është bazuar në shumë burime të informacionit duke u nisur nga monitorimi i seancave, analizimi i dokumenteve të ndryshme, raportet e mediave, debatet me qytetarë dhe diskutimet nga shoqëria civile.
“Në komunën e Lipjanit kuvendarët më pasivë ose ata që nuk kanë marrë asnjë pikë janë: Naim Stullca (LDK), Mehmetali Krasniqi (LDK), Fadil Sopa (LDK), Naim Jahiri (LDK), Ramadush Tasholli (LDK), Fatime Krasniqi (LDK), Hajredin Bytyqi (AKR), Safete Amerllahu (AKR), Manush Shamolli (Nisma), Egzona Fazlia (Nisma)”, thuhet në raport, ndërkaq sipas kësaj OJQ-je, në komunën e Shtimes kuvendarët më pasivë, pra ata që nuk kanë arritur të sigurojnë asnjë pikë në këtë raport, janë: “Marigona Pajaziti (VV) dhe Diarta Vishesella (AAK)”, thuhet në raport.
E në Fushë-Kosovë janë identifikuar tre asamblistë, sipas kësaj OJQ-je: Miranda Shabani (LDK) , Ali Zogiani (LDK) dhe Ljubisha Qirkoviq (Lista Srpska)”.
Organizata “YAHR” po ashtu ka publikuar edhe kuvendarët më aktiv gjatë kësaj periudhe të vitit: Në Lipjan është Lulzim Rrustemi (PDK) me 128 pikë, pastaj në Fushë-Kosovë, Durim Hajra me 235 pikë nga VV-ja dhe në Shtime, Ruzhdi Jashari 213 pikë nga VV-ja.
Sipas organizatës “YAHR”, karakteristikë e kësaj periudhe raportuese është përballja e punës së kuvendeve komunale me masat mbrojtëse të nxjerra nga qeveria e Republikës së Kosovës për luftimin e pandemisë COVID-19.
“Gjatë periudhës janar – qershor 2021, Kuvendi Komunal i Lipjanit ka mbajtur 5 seanca plenare të rregullta dhe një seancë të jashtëzakonshme, Kuvendi Komunal i Fushë-Kosovës ka mbajtur 6 seanca plenare të rregullta, ndërsa ai i Shtimes ka mbajtur 5 seanca të rregullta dhe një seancë solemne me rastin e përvjetorit të Pavarësisë së Kosovës”, thuhet në raport.
Bekim Krasniqi, drejtor në këtë OJQ, ka thënë se, gjatë pjesës së parë të vitit 2021, ekzekutivi i Komunës së Fushë-Kosovës ka ofruar 8 raporte apo informata para Kuvendit Komunal, ai i Shtimes 6 dhe i Lipjanit 4.