Futboll

Vedat Muriqi te Mallorca deri më 2029: Është ëndrra më e mirë që kam pasur

Vedat Muriqi

Sulmuesi kosovar, Vedat Muriqi, do të vazhduajë të shkruajë histori te Mallorca. Lideri i përfaqësueses së Kosovës ka firmosur kontratë të re, të vlefshme deri në vitin 2029, me skuadrën e La Ligas spanjolle. Muriqi ka insistuar për kontratë të re me Mallorcan dhe tashmë e ka firmosur atë. Nëse kontrata respektohet deri në fund, Muriqi do të jetë te Mallorca edhe plot katër vjet.

31-vjeçari është te Mallorca që nga 31 janari i vitit 2022. Fillimisht ishte huazuar nga Lazio deri në fund të edicionit 2021/2022. Në verën e vitit 2022, ai firmosi për pesë vjet me Mallorcan. Prej atëherë është lider i pakontestueshëm në sulmin e Mallorcas.

Kur Muriqi iu bashkua fillimisht Mallorcas, kjo skuadër luftonte për mbetje në ligë. Me përkushtimin dhe golat e tij, prizrenasi ndihmoi ekipin të mbetet në elitën spanjolle dhe po ashtu fitoi respektin e tifozëve.

Deri më tani sulmuesi i fuqishëm i ka luajtur 118 ndeshje për Mallorcan dhe ka kontribuuar me 35 gola e 11 asistime.

“Mbi të gjitha ndiej krenari dhe kënaqësi. Është nder të vazhdoj të jetoj këtë ëndërr me këta njerëz këtu dhe të vazhdoj të rritem me ekipin. Do të thotë shumë për mua. Për këtë jam i entuziazmuar që do të jem te Mallorca edhe për dy vjet më shumë. Pa asnjë dyshim, ardhja këtu është vendimi më i mirë që kam marrë ndonjëherë”, ka thënë Muriqi për sajtin zyrtar të klubit. Kontrata e vjetër e tij ishte e vlefshme deri në vitin 2027.

“Për mua, Mallorca është ëndrra më e mirë që kam pasur ndonjëherë. Dhe nuk do ta ndryshoj këtë”, ka shtuar sulmuesi kryesor i Kosovës.

Pos te Mallorca e Lazio, Muriqi ka bërë karrierë edhe te Fenerbahçe, Rizespori, Gençlerbirligi, Giresunspori, Besa e Kavajës, Teuta e Durrësit dhe Liria e Prizrenit.

Por kulmin e ka arritur te Mallorca dhe do të vazhdojë të shënojë gola për këtë skuadër.

“Pirati” i Mallorcas, Muriqi, po të mërkurën e prezantoi fanellën e tretë të skuadrës për edicionin e ri në La Liga.