Real Madridi ka konfirmuar të enjten se Luka Modriq do të largohet nga skuadra në fund të sezonit.
Mesfushori kroat ndeshjen e fundit në stadiumin “Bernabeu” do ta luajë të shtunën ndaj Real Sociedadit, ndërsa do të largohet pas Kupës së Botës për Klube.
“Real Madridi dhe kapiteni Luka Modriq janë pajtuar që ta mbyllin periudhën e paharrueshme në fund të Kupës së Botës për Klube, ku skuadra jonë do të luajë prej 18 qershorit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, ka shkruar ndër të tjera klubi madrilen.
39-vjeçari Modriq ka zhvilluar 590 ndeshje për gjigantin spanjoll ndërsa ka shënuar 43 gola qëkur u transferua nga Tottenhami në vitin 2012.
Ai u bë edhe lojtari më i dekoruar në hisotrinë e Real Madridit, duke fituar ndër të tjera katër tituj në La Liga dhe gjashtë Liga të Kampionëve, mes 28 trofeve që i ka me klubin mbretëror pas 13 vjetësh.
Në vitin 2018, ai u emërua fitues i “Topit të Artë” për rolin që e pati te Real Madridi në suksesin e dyfishtë të Real Madridit, dhe në rrugëtimin e Kroacisë deri në finale të Kupës së Botës.
Ai u bë lojtari i parë që e ndali dominimin e Lionel Messit dhe Cristiano Ronaldos për këtë çmim.
Largimin e ka bërë të ditur edhe mesfushori kroat.
“Të dashur tifozë të Madridit. Koha ka ardhur. Momenti që nuk doja të vijë kurrë, por ky është futbolli, dhe në jetë çdo gjë e ka fillimin dhe fundin. Të shtunën do ta luajë ndeshjen e fundit në Santiago Bernabeu”, është shprehur Modriq ndër të tjera.