Futboll

Xhiro shumë interesante në Serie A

Serie A

Juventus – Napoli është derbi i së shtunës në Serie A. Ndeshja që fillon në orën 18:00 dhe zhvillohet në Torino, i takon xhiros së pestë të kampionatit italian.

Napoli, ku paraqitet Amir Rrahmani ka tri fitore në katër ndeshjet e para. Renditet i treti me nëntë pikë. Ndërkohë Juventusi është i gjashti me tetë pikë.

Juventusi të martën kishte ndeshje në Ligën e Kampionëve, ndërsa fitorja 3:1 ndaj PSV-së mund ta ketë motivuar skuadrën për derbin e rëndësishëm.

Derbi i madh në Itali megjithatë zhvillohet të dielën mbrëma. Nga ora 20:45 është derbi i qytetit mes Interit dhe Milanit.

Derbit e Milanos gjithnjë janë të veçantë, ndërsa spektakli nuk pritet të mungojë as këtë herë. Të dy skuadrat paraqiten në derbi pas sfidave në Champions. Derisa Milani pësoi 3:1 në shtëpi nga Liverpooli, Interi mori pikë të madhe në Manchester, duke barazuar pa gola me Cityn.

Starti i Interit në edicionin e ri të Serie A ishte solid. Kampioni në fuqi ka tetë pikë nga katër ndeshjet e para. Milani ka nisur më zbehtë kampanjën e re. Ka vetëm pesë pikë në mesin e tabelës.

Xhiroja në Serie A mbyllet të hënën me ndeshjen mes Atalantas e Comos.