Futboll

Xherdan Shaqiri komenton vendimin e Leon Avdullahut

shaq

Selektori i Zvicrës në futboll, Murat Yakin, do të publikojë të enjten listën për ndeshjet kualifikuese të Kupës së Botës 2026 kundër Kosovës dhe Sllovenisë.

“Avdullahu do të ishte përfshirë”, shkruan të martën “Luzerner Zeitung”. 

Avdullahu u transferua nga Baseli te Hoffenheimi gjatë verës për 8 milionë franga zvicerane. 

Ai është vlerësuar për paraqitjet e para me fanellën e Hoffenheimit. Mesfushori ka luajtur nga fillimi në fitoren për Kupë dhe Bundesligë të Gjermanisë.

Dhe të hënën vendosi që në nivel ndërkombëtar të luante për Kosovën e jo për Zvicrën.

Kapiteni i Baselit, Xherdan Shaqiri, ka komentuar vendimin e Leon Avdullahut. 

Baseli udhëtoi drejt Kopenhagës të martën për ta zhvilluar ndeshjen kualifikuese të Ligës së Kampionëve. 

Ndërrimi i përfaqësueses nga Avdullahu është gjithashtu temë diskutimi te Baseli. 

“Leonit me siguri iu shfaqën perspektiva më të mira në Kosovë, përndryshe nuk do ta kishte bërë këtë ndërrim”, ka thënë Shaqiri, ylli shumëvjeçar i përfaqësueses së Zvicrës dhe aktualisht ylli më i madh i kampionatit helvetik.

Mesfushori i Hoffenheimit, Avdullahu, vendosi të paraqitej për Kosovën në nivelin e të rriturve. Ai më herët kishte luajtur për ekipet zinxhirë të Zvicrës.

Shaqiri dhe Avdullahu ishin prej lojtarëve kryesorë në suksesin e Baselit edicionin e kaluar. Avdullahu vlerësohej truri i mesfushës së Baselit, ndërsa Shaqiri lideri i sulmit të kampionit të Zvicrës. 

Shaqiri mohon të ketë pasur ndonjë ndikim në vendimin e Avdullahut. Por pohon se kishte folur për këtë temë disa herë.

“Sigurisht që folëm për këtë herë pas here në Basel. Por Leoni e mori vendimin vetëm me familjen e tij. Nuk mendoj se pata ndonjë ndikim. Dhe në fund të fundit, tani ai ka kohë që është në Hoffenheim”, është shprehur Shaqiri.

Kur Kosova u pranua në FIFA dhe UEFA, në maj të vitit 2016, Federata e Futbollit e Kosovës u përpoq ta bindte Xherdan Shaqirin t’i bashkohej. Megjithatë Shaqiri mbeti me Zvicrën. Deri në pensionimin e tij në verën e vitit 2024, ai luajti 125 ndeshje ndërkombëtare për Zvicrën, duke shënuar 32 gola.

Pas dhjetë ditësh, të premten, më 5 shtator, Kosova e nis ciklin e ri kualifikues për Kupën e Botës 2026. Kosova luan ndaj Zvicrës në hapje të kampanjës kualifikuese. Ndeshja luhet në Basel, ku Leoni u zhvillua dhe shkëlqeu si lojtar. Është e mundur që Avdullahu do të debutojë kundër Zvicrës në Basel.

Edhe mesfushori i Zurichut, Bledian Krasniqi, ka komentuar vendimin e Avdullahut për t’iu bashkuar Kosovës. 

“Avdullahu është lojtar i shkëlqyer që do të na ndihmojë shumë. Është plus për ne”, ka thënë Krasniqi për “Bluewin”.

Krasniqi ka debutuar për Kosovën në qershor, në ndeshjen kundër Komoreve. Luajti 20 minuta. Edhe Krasniqi para se t’i bashkohej Kosovës kishte luajtur për grupmoshat e reja të Zvicrës.