Federata e Futbollit e Zvicrës ka prezantuar fanellën e re për Kupën e Botës 2026. Fanellën me të cilën Zvicra do të paraqitet në skenën më të madhe të futbollit e kanë prezantuar kapiteni Granit Xhaka, Nico Elvedi dhe Dan Ndoye.
Dizajni i fanellës është frymëzuar nga pasaporta zvicerane. Fanellat e përfaqësueses helvetike të futbollit janë dizajnuar nga “Puma” që nga viti 1998.
Xhaka pas prezantimit të fanellës së re ka thënë se detajet në fanellë “ua kujtojnë nga vijnë dhe çka përfaqësojnë”.
Ai ka theksuar se Zvicra mund të arrijë gjëra të mëdha.
“Një Zvicër që mund të arrijë gjëra të mëdha nëpërmjet unitetit dhe vendosmërisë. Është një fanellë që na motivon të japim më të mirën tonë - për tifozët tanë, për vendin tonë dhe për brezin e ardhshëm”, është shprehur Xhaka.
Ai ka theksuar se në Botëror, Zvicra do të tregojë se është ndër ekipet më të mira në botë.
“Në vitin 2026 nuk duam vetëm të marrim pjesë, por të bëjmë një deklaratë dhe të tregojmë se Zvicra është ndër më të mirat në botë”, thotë Xhaka.
Mesfushori i Sunderlandit është lider i Zvicrës. Roli i tij në përfaqësuesen helvetike të futbollit ka qenë i rëndësishëm në dekadën e fundit.
Për Zvicrën është kualifikimi i gjashtë rresht në turneun më të rëndësishëm të futbollit. Zvicra siguroi direkt kualifikimin në Botërorin që vitin tjetër mbahet në SHBA, Meksikë dhe Kanada. Doli e para në grup me Kosovën, Slloveninë dhe Suedinë.