Futboll

Xhaka, faktor i rëndësishëm në përpjekjen e Sunderlandit për të mbetur në Premier League

Xhaka

Kthimi i Granit Xhakës në Premier League po del të jetë fitore e madhe për Sunderlandin. Sunderlandi është kthyer në elitën angleze pas një kohe të gjatë, ndërsa po udhëhiqet në fushë nga Xhaka.

Ai është kapiten i skuadrës dhe lider i pakontestueshëm në fushë. Falë nivelit të Xhakës, Sunderlandi po vlerësohet me gjasa të mira për të mbetur në Premier, që do të ishte sukses i madh për këtë skuadër. 

Ndikimin e madh të Xhakës në skuadër e pranojnë të gjithë në Angli. Për këtë së fundi foli Theo Walcott, ylli i dikurshëm i Arsenalit dhe Anglisë. 

Walcott e Xhaka kanë luajtur së bashku tek Arsenali.

“Kalimi i tij te Sunderlandi ka befasuar shumë njerëz. Por ndiej se nëse Sunderlandi dëshiron të mbetet në ligë, Xhaka do të jetë faktor i rëndësishëm për ta bërë këtë. Ai ka aftësi të liderit. Trajneri flet për planin e lojës dhe ai është lojtar që e bën këtë në fushë. Ai udhëheqë duke dhënë shembull. Për mua ka të bëj me pasionin e tij, me etjen dhe trimërinë e tij. Ai është gjithnjë i gatshëm për këto sfida”, ka thënë Walcott.

Ai e ka vlerësuar asistimin e Xhakës në ndeshjen e fundit si njërin prej më të mirëve të këtij edicioni.

Por Xhaka ishte i rëndësishëm edhe tek Arsenali, ka thënë Walcott.

“Të jem i sinqertë, ju gjithnjë keni mundur ta dëgjoni atë. Pavarësisht nëse ishin në fushën stërvitore apo ku, ju keni mundur ta dëgjoni atë duke folur me dikë. Me një anëtar të stafit, me një lojtar të ri apo me një lojtar me përvojë. Dhe ai ishte i tillë prej ditës së parë. Përvoja e tij tani ka rëndësi edhe më të madhe. Ai nuk fshihet asnjëherë. Transferimi në Gjermani mendoj se i ka ndihmuar sa i takon disiplinës dhe gjërave të tjera. E ka rritur nivelin e tij të liderit. Mendoj që gjithnjë ishte aty, por kalimi në Gjermani, fitimi i titullit, ka ndikuar për të mirë”, ka theksuar Walcott.