Pasi udhëhoqi skuadrën e Bayer Leverkusenit drejt triumfit në Kupën e Gjermanisë, mesfushori Granit Xhaka ka zbuluar synimet e mëdha që i ka me skuadrën gjermane. Leverkuseni e fitoi edhe titullin e kampionit të Gjermanisë, të parin në histori, ndërsa u mposht në finale të Ligës së Evropës.
Por kjo nuk mjafton për Xhakën. Ai kërkon suksese të reja në edicionin e ardhshëm garues.
“Nuk kam ardhur këtu që të fitoj tituj vetëm gjatë një viti, por uroj edhe në vitet që vijnë. Ne e dimë se çfarë potenciali kemi dhe vendimi i trajnerit Xabi Alonso për të qëndruar është shumë i mirë. Do të bëjmë çdo gjë që të sigurohemi të kemi top-skuadër në edicionin e ardhshëm. Dhe më pas do të tentojmë të kthehemi ku jemi tani”, ka thënë Xhaka në një intervistë për “Kicker”, pas triumfit në Kupën e Gjermanisë.
Ai shënoi golin e vetëm në finalen e së shtunës mbrëma.
“Ne e dimë që ky edicion ishte vërtet i veçantë. Dhe të humësh është pjesë e kësaj. E rëndësishme është të kthehesh sërish në majë. Në finale kemi treguar karakter dhe jemi kthyer. Do ta bëjmë të njëjtën kampionatin e ardhshëm. Do të ketë ndeshje që do t’i humbim. Me shumë mundësi nuk do t’i fitojmë 51 ndeshje rresht. Por ne duam të sulmojmë. Jemi këtu për ta mbrojtur titullin. Dhe do të bëjmë çdo gjë që mundemi për ta bërë këtë edhe vitin e kaluar”, ka shtuar kapiteni i Zvicrës.
Leverkuseni të mërkurën e kaluar u dominua plotësisht nga Atalanta në finale të Ligës së Evropës. Ishte humbja e parë pas 51 ndeshjeve. Xhaka ishte prej lojtarëve me paraqitjen më të dobët në finale.
“Forca ime është se e di saktësisht kur luaj mirë e kur luaj më pak mirë. U kam thënë djemve tre apo katër muaj më parë: duhet të jeni të sinqertë me veten. Kur luani mirë duhet ta lavdëroni veten. Kur luani më pak mirë, ju duhet ta kritikoni veten. Jam gati 32-vjeçar dhe e shikoj secilën ndeshje që luaj. E di që të mërkurën nuk ishte paraqitja ime më e mirë, ka pasur pasime të këqija që nuk i kam bërë këtë edicion. Por të gjithë janë të përfshirë, të gjithë lojtarët. Duhet të qani së bashku dhe të festoni së bashku. Ka ditë kur gjërat nuk shkojnë aq mirë”, ka theksuar mesfushori luftarak.
Xhaka tani i bashkohet Zvicrës. Do të jetë lider i saj në “Euro 2024”.
Ai ka thënë se dëshpërimi ishte i madh pas disfatës në finale të Ligës së Evropës.
Në përgjithësi, Xhaka dhe Bayer Leverkuseni kanë pasur një vit të jashtëzakonshëm.
“Jam i lumtur pasi që çdo gjë që kam dashur ka funksionuar. Që nga dita e parë e kam ditur se jam në vendin e duhur. Xabi më ka mësuar shumë gjëra, ndonëse jam gati 32-vjeçar. Ju mund të mësoni gjithnjë diçka të re, pavarësisht se sa vjet i keni, 18 apo 32. Jam i lumtur që bëra hapin për kët. Shtatë vjetët në Londër ishin të jashtëzakonshëm, pa dyshim. Dhe nuk do t’i harroj asnjëherë. Por, të jem këtu sot është vërtet e veçantë”, ka theksuar Granit Xhaka.