Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën

Tensionet në dhomat e zhveshjes te skuadra e Real Madridit ishin shumë të larta të mërkurën. Dhe tjetër përleshje ka ndodhur të enjten mes Federico Valverdes dhe Aurelien Tchouamenit. 

Madje, përleshja e të enjtes, sipas mediumit të njohur spanjoll “Marca”, ka qenë shumë serioze. 

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Kjo ka bërë që klubi të kërkojë menjëherë takim emergjent. 

Shumë anëtarë të ekipit është dashur të intervenojnë të enjten, ndërsa më pas, uruguaiani Valverde është dashur të shkojë në spital. 

Burime të mediumit “Marca” kanë thënë se tensioni i së enjtes ka qenë shumë më i rëndë sesa ai i të mërkurës në “Valdebebas”, në qendrën stërvitore të klubit mbretëror.

Një tjetër medium, “Tribuna.com”, ka shkruar të enjten se para seancës stërvitore të enjten, Valverde ka refuzuar t’ia zgjatë dorën Tchouamenit, dhe kjo ka qenë shkaktare e incidentit në fund të stërvitjes.  

Ky medium ka shkruar se klubi ka hapur menjëherë procedurë disiplinore ndaj të dy lojtarëve. 

Telashet te skuadra e Real Madridit janë edhe më të thella. 

“Goal.com” ka shkruar se disa lojtarë janë duke e bojkotuar trajnerin Alvaro Arbeloa dhe se ekipi është ndarë në grupe. 

Është raportuar se gjashtë lojtarë aktual të Real Madridit, refuzojnë të flasin me klubin madrilen. Emrat e tyre nuk janë bërë publik. 

Ka raportime edhe se yjet e ekipit, Vinicius Junior, Kylian Mbappe dhe Jude Bellingham, janë shkaktarët e rasteve të tilla. Madje, sipas “Mundo Deportivos”, edhe kjo treshe ka shfaqur pakënaqësi ndaj njëri-tjetrit. 

Më herët është raportuar nga “Marca” dhe “AS” se ka pasur diskutime edhe mes mesfushorit Dani Ceballos dhe Arbeloas. Ceballos u ka thënë lojtarëve se nuk do të ketë kontakte me trajnerin e përkohshëm të Real Madridit, i cili e zëvendësoi Xabi Alonson e shkarkuar. Pakënaqësi, sipas mediumeve spanjolle, ka pasur edhe nga Dani Carvajal, kapiteni veteran i ekipit, i cili nuk ka qenë i kënaqur me rolin në klub. Atij i skadon kontrata në verë, ndërsa aktualisht është i lënduar dhe nuk pritet të luajë deri në fund të sezonit. 

Tjetër incident nga një medium gjerman, “SPOX”, shkruan se javë më parë kishte shpërthyer një tjetër incident mes Antonio Rudigerit dhe Alvaro Carrerasit. 

Sipas mediumit gjerman, gjermani Rudiger e ka goditur me shuplakë mbrojtësin spanjoll, Carreeras. 

“The Athletic” së fundmi ka bërë të ditur se Mbappe është përplasur me njërin prej stafit të Real Madridit dhe e ka fyer, ndërsa “L’Equipe” ka shkruar se shumë lojtarë të madrilenëve janë të pakënaqur me sjelljet dhe privilegjet që ka 27-vjeçari francez. 

Real Madridi pritet ta përfundojë sezonin pa trofe të fituar. Barcelona mund të triumfojë në La Liga në “El Clasicon” e së dielës, ndërsa Arbeloa është afër largimit nga Real Madridi. 

Presidenti Florentino Perez raportohet se ka pasur kontakte me Jose Mourinhon për postin e trajnerit, ndërsa Toni Kroos pritet të kthehet me rol të ri në skuadër.

Valverde: Nuk u përleshëm, e godita tavolinën aksidentalisht

1 muaj më parë / 7 maj 2026 22:40
Valverde

Mesfushori Federico Valverde, i cili ka pësuar çarje në fytyrë dhe është dashur të qepej, ka mohuar të ketë pasur përleshje me Aurelien Tchouamenin. Dhe ka thënë se e çara në ballë është bërë aksidentalisht, pasi e ka goditur tavolinën.

“Dje kam pasur një incident me një bashkëlojtar në stërvitje, ku lodhja nga garat dhe inati, e bëjnë çdo gjë më të madhe se që është. Është normale që në dhomat e zhveshjes, këto gjëra të ndodhin dhe ato zgjidhen mes nesh pa u bërë publike. Qartë se është dikush prapa kësaj që ka vrapuar për ta treguar gjithë këtë, shtuar këtu sezonin pa trofe pasi Madridi gjithmonë është qendër e vëmendjes dhe gjithçka zmadhohet. Sot kishim një tjetër mosmarrëveshje. Gjatë një diskutimi, unë aksidentalisht e kam goditur një tavolinë dhe i kam shkaktuar vetes një të çarë në ballë, e më është dashur kontrolla mjekësore. Në asnjë pikë bashkëlojtari nuk më ka goditur, dhe nuk e kam goditur, edhe pse e kuptoj që për ju do të ishte më e lehtë të besohet se ne jemi rrahur ose ishte e qëllimshme, por kjo nuk ka ndodhur. E ndiej se zemërimi për situatën, frustrimi të shoh se dikush prej nesh ka arritur në fund të sezonit me energjinë e fundit, na ka goditur mendërisht, dhe më ka sjellë mua në pikën që të argumentoj me një bashkëlojtar. Më vjen keq. Më vjen keq me të vërtetë sepse situata më prek mua, momenti në të cilin jemi më dhemb. Madridi është një prej gjërave më të rëndësishme në jetën time dhe nuk mund të qëndroj indiferent. Rezultati është akumulim i gjërave që përfundojnë me debat të pakuptimtë, që më dëmton imazhin dhe lë vend te njerëzit që të shpikin, shpifin dhe ta ekzagjerojnë debatin, për të cilin nuk kam dyshim. Çdo përplasje që kemi mundur ta kemi në fushë ka mbetur aty dhe nëse do të duhej ta mbroja atë brenda stadiumit, do të isha i pari që do ta bëja”, ka theksuar në shkrimin e gjatë Valverde.

Më pas ai ka thënë se nuk është person i rrjeteve sociale, por është dashur të reagonte për këtë rast.

“Nuk do të flisja deri në fund të sezonit. U eliminuam nga Liga e Kampionëve dhe e kam mbajtur zemërimin dhe pjesën tjetër për vete. Kemi humbur edhe një vit dhe nuk e ndieja se duhej të postoja në rrjetet sociale kur e vetmja fytyrë që duhej ta tregoja ishte në fushë, dhe e ndiej se këtë e kam bërë. Kjo më dhemb dhe më mërzit më së shumti nëpër këtë situatë, që do të më ndal të luajë në ndeshjen e ardhshme për shkak të vendimeve mjekësore, sepse gjithmonë kam shkuar deri në fund, deri në pasojat e fundit, dhe më dhemb më shumë se kujtdo tjetër që nuk do të mund ta bëj. Jam në shërbim të klubit dhe bashkëlojtarëve për të bashkëpunuar për çfarëdo vendimi që ata e konsiderojnë të nevojshëm. Ju faleminderit”, ka shkruar Valverde.

Reali tregon për gjendjen e Valverdes

1 muaj më parë / 7 maj 2026 21:56
Valverde

Real Madridi ka dalë me një tjetër komunikatë. Dhe ka treguar për gjendjen shëndetësore të Federico Valverdes, pas përleshjes që e pati me Aurelien Tchouamenin. 

Reali ka thënë se Valverde ka lëndim në tru. 

“Pas testeve që u bën në lojtarin tonë Fede Valverde nga Shërbimi Mjekësor i Real Madridit, ai është diagnostikuar me lëndim në tru. Valverde është në shtëpi në gjendje të mirë dhe do të pushojë prej 10 deri në 14 ditë, sipas udhëzimit mjekësor për këtë diagnozë”, ka shkruar Real Madridi.

Valverde përfundon me të çara dhe qepje në fytyrë

1 muaj më parë / 7 maj 2026 21:38
Federico Valverde

Photo: Associated Press

Pas përleshjes me Aurelien Tchouamenin, Federico Valverde ka përfunduar në spital me të çara në fytyrë, ku i është dashur intervenimi. 

Mesfushorit uruguaian i janë vendosur disa penjë pas goditjes që ka marrë nga mesfushori francez. 

Sipas mediumit spanjoll “AS”, Real Madridi nuk është i kënaqur me sjelljen e trajnerit Alvaro Arbeloa, pasi gjatë këtij rasti nuk ka reaguar fare për ta parandaluar një gjë të tillë. 

Ky incident ka ardhur tri ditë para “El Clasicos” ndaj Barcelonës, ku klubi nga Katalunja mund ta fitojë titullin. 

Arbeloa, megjithatë, e ka përcjellë Valverden deri në spital, sipas mediumeve spanjolle.

Real Madridi me komunikatë zyrtare për përleshjen Valverde – Tchouameni

1 muaj më parë / 7 maj 2026 21:31
Valverde - Tchouameni

Real Madridi ka lëshuar komunikatë zyrtare për incidentin që ndodhi në qendrën stërvitore të klubit mbretëror të enjten gjatë ditës. 

Reali ka shkruar se ka hapur procedurë disiplinore për të dy futbollistët, Federico Valverde dhe Aurelien Tchouameni. 

“Klubi do t’iu mbaj të informuar pasi të përfundohen procedurat përkatëse”, ka shkruar klubi madrilen të enjten.

Pas ditës me shumë zhvillime, Mbappe largohet duke qeshur nga stërvitja

1 muaj më parë / 7 maj 2026 17:57
Kylian Mbappe

Real Madridi është përfshirë në shumë telashe dhe të enjten u raportua për rrahje mes Federico Valverdes dhe Aurelien Tchouamenit. 

Madje është thënë se Valverde ka përfunduar në spital pas përleshjes. 

Por, situata është dukur ndryshe për Kylian Mbappen, i cili është parë duke qeshur teksa ishte duke u larguar nga qendra stërvitore. 

Kjo shihet qartë në një video e publikuar në rrjetet sociale nga mediumi “El Chiringuito”. 

Mbappe është kritikuar shumë në javët e fundit për mosangazhim, ndërsa tifozët e kanë kërkuar largimin e tij.