UEFA është duke kërkuar sqarime për 12 çështje që lidhen me drejtimin e FIFA-s, projektin për investime private dhe raportet e Gianni Infantinos me Donald Trumpin.
Sipas “Reuters”, organizata që drejton futbollin evropian i ka dërguar FIFA-s 42 pyetje që përfshijnë 12 çështje të ndryshme.
UEFA ka kërkuar përgjigje me shkrim dhe dokumentet përkatëse, deri më 2 nëntor.
Një nga temat kryesore është projekti “FIFA Forward Enterprise” , përmes të cilit ishte planifikuar krijimi i një kompanie për menaxhimin e interesave komerciale të FIFA-s, përfshirë Kupën e Botës, me mundësinë e përfshirjes së investitorëve privatë.
UEFA kërkon të kuptojë se si u zhvillua iniciativa, kush ishte i përfshirë në vendimmarrje dhe nëse procedurat e brendshme të FIFA-s janë respektuar.
Në fokus janë edhe çështje që lidhen me marrëdhëniet e Infantinos me presidentin amerikan, Donald Trump.
UEFA kërkon që këto çështje të sqarohen përpara mbledhjes së ardhshme të Këshillit të FIFA-s, të planifikuar për 16 dhjetor.