Ludovic Magnin është paraqitur për herë të parë në konferencë për media si trajner i ri kampionit dhe fituesit të Kupës, Baselit. Në konferencën e parë, 46-vjeçari ka folur edhe për kapitenin e Baselit, Xherdan Shaqiri. Ai është paraqitur me humor të mirë në konferencë. Tha me shaka se nuk ka marrëdhënie të mirë, por as të keqe me yllin e Baselit.
“Nuk kemi marrëdhënie shumë të ngushtë, por sigurisht as të keqe. Ishim së bashku në fushë për tre minuta me ekipin përfaqësues të Zvicrës. Ai sigurisht që nuk do të trishtohet që unë jam këtu tani”, ka thënë Magnin. Pasi përfundoi përgjigje me shaka, Magnin, tha se skuadra e tij do të ndërtohet rreth Shaqirit.
“Kur ke një lojtar të kalibrit të Shaqirit, duhet të ndërtosh ekipin rreth tij. Dua që ai të vazhdoj ashtu siç luajti Baseli në sezonin e kaluar. Sulmi ishte i pabesueshëm. Megjithatë, dua të ndërroj disa gjëra të vogla që i përshtaten ideve të mia”, është shprehur Magnin.
Në postin e trajnerit te Baseli, Magnin zëvendësoi Fabio Celestinin.