Futboll

Trajneri i Liverpoolit për goditje standarde largohet pas telasheve të skuadrës në mbrojtje

Liverpool

Liverpooli ka ndarë rrugët me trajnerin e ekipit të parë për goditje standarde, Aaron Briggs, si përgjigje për telashet që ka pasur skuadra e Arne Slot në këtë aspekt të lojës këtë edicion.

Kryetrajneri Slot nuk ka fshehur zhgënjimin e tij për dështimet e Liverpoolit pas goditjeve standarde, në të dy anët e fushës. Slot vlerësoi se situatat pas goditjeve standarde, përkatësisht pas ndërprerjeve, po ndikonin shumë në rezultatet e skuadrës.

Liverpooli ka pranuar plot 12 gola pas goditjeve standarde. Kjo është gati gjysma e golave të pranuar gjithsej.

Ndërkohë kampioni në fuqi i Anglisë shënoi vetëm tre gola pas ndërprerjeve.

Asnjë klub nuk ka pranuar kaq shumë gola pas ndërprerjeve, ndërsa më pak ka shënuar vetëm Wolvesi, që është i fundit.

Briggs vlerësohet trajner i zellshëm dhe punëtor. Ai kishte rol të rëndësishëm në sukseset e Liverpoolit në edicionin e kaluar. Po ashtu ndihmoi shumë në përshtatjen e Slotit në futbollin anglez.

Por pas telasheve të vazhdueshme pas goditjeve standarde, klubi vendosi të ndërhynte dhe u arrit marrëveshja për ndarje të rrugëve.