Ish-mbrojtësi i Zurichut, Silvan Wallner, i ka dhënë fund karrierës në moshën 22-vjeçare. Arsyet për tërheqjen e hershme janë fetare, përkatësisht fakti që feja e tij nuk përshtatet me kërkesat e futbollit profesionist. Ai është anëtar i “Kishës Adventiste të Ditës së Shtatë”. Në këtë komunitet e shtuna është ditë pushimi, e rezervuar për afrim me Zotin. Puna dhe madje edhe loja e futbollit nuk lejohet në këtë ditë.
Wallner është rritur në Akademinë e Zurichut, ndërsa është larguar nga ky klub zviceran në shtator. U transferua në Austri te klubi i Bundesligës, Blau-Weiss Linz. Së fundi luajti më 26 tetor.
Drejtori sportiv i Zurichut, Milosh Malenoviq, e njeh Wallnerin shumë mirë. Në një intervistë për “Blue Sport”, ai ka thënë: “Jam befasuar që ai dëshiron t’i japë fund karrierës. Absolutisht nuk do ta prisja këtë nga një lojtar i tillë i ri. Ai gjithnjë më është dukur shumë stabil”.
Wallneri është djalosh shumë inteligjent dhe nga një familje e mirë, thotë Malenoviq.
“Nuk kemi vërejtur asgjë. Në fakt askush në Zurich nuk ka vërejtur asgjë. Nuk ishte asnjëherë çështje. Nuk kemi ditur asgjë. Mendoj se e ka komunikuar këtë për herë të parë tri javë më herët në klubin e tij austriak”, ka shtuar drejtuesi sportiv i Zurichut.
Ai pret shpjegime të mëtejme.
“Ka situata në jetë që dërgojnë në këtë. Është ndonjëherë e dyshimtë për mua, por më duhet ta respektoj këtë si gjithë të tjerët. Është rruga e tij dhe ai ishte shumë i guximshëm me vendimin. Ju mund ta shihni këtë si gjë pozitive, por mendoj se është edhe keq që është larguar”.
Malenoviq thotë se për të asgjë që është ekstreme nuk është e duhur. Por ai nuk dëshiron të përfshihet në politikë apo religjion.
“Çdo gjë duhet të ketë limitet e veta. Futbolli luhet në fundjavë. Nëse nuk e dëshiron më dhe mendon se është rruga e duhur, atëherë duhet ta pranoni atë”.
Malenoviqi ka mohuar se Wallner është larguar në shtator nga Zurichu për ndonjë përplasje.
“Arsyeja ishte e thjeshtë. Silvani ka kërkuar të luajë më shumë. Ai ishte mbrojtësi i katërt i qendrës, tashmë në vitin e tretë në skuadër”.
Wallneri nuk po luante te Zurichu dhe shprehu dëshirën të largohej. Dhe te Zurichu vlerësuan se kalimi në Austri ishte i mirë për lojtarin. Kishte një klauzolë kthimi te Zurichu nëse Wallneri do të paraqitej mirë në Austri.
“Për fat të keq tani u kuptua që ai nuk dëshiron të luajë më aktualisht”.