Futboll

Te Kosova i gëzohen shkëlqimit të portierit Muriq

Arijanet Muriq

Te Sassuolos, portieri Arijanet Muriq, mban fanellën me numrin 49. Por për trajnerin Fabio Grosso, Muriq, është i numri një i portës së klubit elitar të Italisë. I padiskutueshëm Muriq është edhe për përzgjedhësin e Kosovës, Franco Foda. 

Gjiganti i portës është duke shkëlqyer te Sasussolo. Forma e tij me klubin italian po i gëzon edhe te Kosova.

“Ne kemi një prej portierëve më cilësorë në Evropë. Aro është padyshim portier që na ka ndihmuar shumë dhe vazhdon ta bëjë një gjë të tillë. Ai po kalon formë të mirë te Sassuolo dhe uroj ta bëjë të njëjtën gjë edhe te Kosova”, ka thënë për KOHËN drejtori i përfaqësueses së Kosovës, Muharrem Sahiti.

Muriq i gjatë 198 centimetra ka luajtur për Kosovën 45 ndeshje nga viti 2018, ndërsa për Sassuolon ka zhvilluar pesë ndeshje.

Në dy fitoret e Sassuolos në Serie A, Muriq, ka shkëlqyer me paraqitje. 

Me paraqitjet e portierit 26-vjeçar është i kënaqur edhe trajneri i Sassuolos, Fabio Grosso.

“Aro është një portier i njohur. Ai si i ri kishte treguar talentin e tij. Ishte portier premtues, por më pas disa pengesa e penguan të realizonte potencialin e tij. Ne besuam tek ai dhe, së bashku me tre portierë të tjerë shumë të mirë, ai po përpiqet të arrijë potencialin e tij. Ka shumë vend për përmirësim, por jemi të kënaqur me performancën e tij”, ka thënë Grosso.

Muriq kishte notën më të lart tek ekipi i Sassuolos në fitoren ndaj Hellas Veronës të premten me rezultat 1:0.

“Portieri kosovar po dëshmon të jetë një nga suprizat e këtij sezoni. Kundër Hellas Veronës, ndeshje të cilën Sassuolo e fitoi, Muriq ishte shpëtimtar në më shumë se një rast. Pritja e tij spektakolare ndaj Serdarit me dorën e tij për të larguar topin, ishte diçka që tërhoqi vëmendje”, shkruan sajti italian “europacalcio.it”.

Muriq u huazua te Sassuolo gjatë verës nga Ipswich Towni.

Ai nga ndeshja me Cremonesen më nuk u zëvendësua. 

“Kundër Cremoneses, Lazios, Interit, Udineses dhe, në ndeshjen e tij të fundit, kundër Hellas Veronas, tregoi besueshmëri dhe karakter, duke e konfirmuar veten si një lojtar i sigurt. Pas pritjeve të tij vendimtare kundër Interit dhe Lazios, ai bëri diferencën edhe në Bentegodi. Një pritje e kujdesshme ndaj Serdar, një përgjigje ndaj Giovanes dhe tre ose katër pritje të tjera luajtën një rol kyç në fitoren e Sassuolos. Është një performancë që e ka transformuar atë nga një ‘zgjedhje e dytë’ në një titullar të padiskutueshëm”, vazhdon shkrimi për Muriqin.

Muriq u zhvillua si portier në akademinë e Manchester Cityt pas periudhave në Zurich dhe Grasshopper. Në vitin 2018 kishte kaluar në ekipin e parë të Cityt, ndërsa më vonë kaloi periudha huazimi në NAC Breda, Nottingham Forest, Girona, Willem II, Adana Demirspor. Ishte transferua në Burnley në vitin 2022, ndërsa në vitin 2024 luajti për Ipswicht Townin. Ai me klubin anglez ka kontratë deri në vitin 2028. 

Para se t’i bashkohej Kosovës, Muriq luajti dy ndeshje për Shpresat e Malit të Zi. Ai të hënën do të grumbullohet me Kosovën për dy ndeshjet kualifikuese të Kupës së Botës 2026. Më 10 tetor luan ndaj Sllovenisë në Prishtinë, kurse pas tri ditësh ndaj Suedisë në Goteborg. Kosova e kishte mposhtur Suedinë me rezultat 2:0 në Prishtinë. Muriq ishte prej më të mirëve në ndeshjen ndaj suedezëve.