Albion Rrahmani shënoi gol shumë të bukur ndaj Rigas të enjten mbrëma për rezultatin përfundimtar 2:0 në të mirë të Spartas së Pragës.
Goli i sulmuesit të Kosovës mund të jetë vendimtar në shanset e skuadrës së njohur çeke, për inkuadrim në fazën e ligës, në Ligën e Konferencës.
Qendërsulmuesi 24-vjeçar u inkuadrua në lojë në 25 minutat e fundit dhe pati ndikim të menjëhershëm.
Ai ka qenë në formë të mirë që nga fillimi i sezonit të ri, njësoj si Sparta e Pragës, që drejtohet nga trajneri Brian Priske.
Për Rrahmanin ishte goli i gjashtë në 10 ndeshje zyrtare të këtij sezoni dhe është rekord i shkëlqyer, ka shkruar “Footballclub.cz” të premten. Mesatarja e tij e golave të shënuar është në çdo 80 minuta.
Tri gola i ka të realizuar në pesë ndeshjet e zhvilluara në kampionatin elitar çek dhe tri të tjerë në kualifikimet e Ligës së Konferencës.
Për rëndësinë e golit të dytë të Sparta Pargës të shënuar të enjten mbrëma në “epet Arena”, në ndeshjen e parë të plejofit të Ligës së Konferencës nga sulmuesi i Kosovës, ka folur edhe trajneri Priske.
“Padyshim se është jashtëzakonisht gol i rëndësishëm. Mendoj se e tregon mënyrën se si u paraqitëm. E kemi merituar të fitojmë me dy gola epërsi, edhe pse ishte shumë e vështirë në pjesën e dytë. Por edhe pjesa e parë ishte e mirë. Goli i dytë na jep rezultat shumë të mirë për ndeshjen kthyese në Riga”, deklaroi Priske në konferencën për shtyp pas ndeshjes.
Golin e parë në atë ballafaqim e realizoi sulmuesi Jan Kuchta, në minutën e 22-të.
Ndeshja kthyese në Letoni ndaj Rigas luhet të mërkurën e ardhshme nga ora 20:00.
Pavarësisht statistikave shumë të mira të Rrahmanit, ish-sulmuesi i të rinjve të Llapit, Minatorit, Bashkimit, Ballkanit e Rapidit të Bukureshtit, nuk e ka ende të sigurt vendin e titullarit.
Trajneri Priske ka folur edhe për këtë çështje.
“Unë vetëm po bëhem i sinqertë. E them atë që e shoh dhe shpjegoj vendimet që duhet t’i marr. Nuk pres që ai të pajtohet me mua çdo herë, por ai duhet të vazhdojë të punojë fort. Jam i lumtur me të, por në fund unë gjithmonë duhet të marr një vendim. Djemve u takon ta bëjnë më të mirën, pavarësisht se kush luan. Nuk mund të ankohem në këtë çështje. Të gjithë po e japin më të mirën. Shpresoj se do të përmirësohemi edhe më shumë”, ka deklaruar Priske.
Faza e sulmit e Kosovës po kalon formë të mirë para ndeshjeve kualifikuese të Botërorit 2026. Përveç Rrahmanit, gol të enjten mbrëma realizuan edhe Milot Rashica me Beshiktashin turk dhe Meriton Korenica me Clujin rumun.
Kosova e nis kampanjën kualifikuese të Kupës së Botës 2026 në udhëtim te Zvicra më 5 shtator. Më 8 tetor e pret Suedinë në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.