Kombëtarja e Shqipërisë në futboll e ka zhvilluar të martën stërvitjen e dytë në prag të ndeshjes kundër Çekisë. Në stërvitjen e dytë të zhvilluar në “Shtëpinë e Futbollit”, i ndarë nga grupi stërviti sulmuesi i Rubin Kazanit, Mirlind Daku, ka njoftuar Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF).
“Në seancën e sotme stërvitore u bashkuan me grupin edhe Elhan Kastrati, Arlind Ajeti, Enea Mihaj, Amir Abrashi, Qazim Laçi, Jasir Asani, Taulant Seferi, Nedim Bajrami, Arbnor Muja, Ernest Muçi dhe Indrit Tuci. I pranishëm ishte edhe Mirlind Daku, por futbollisti u stërvit vetëm në palestër për shkak të lodhjes gjatë udhëtimit për në Tiranë”, shkruan FSHF.
FSHF-ja po ashtu ka bërë të ditur se Jon Mersinaj dhe Ardian Bajrami do ta zhvillojnë të mërkurën stërvitjen e parë me Shqipërinë. “Seanca e sotme stërvitore nisi me punën në palestër dhe më pas kuqezinjtë zbritën në fushë për përgatitje atletike dhe ushtrime taktike”.
Shqipëria të shtunën e luan ndeshjen e parafundit të Ligës së Kombeve kundër Çekisë. Ndeshja luhet në stadiumin “Air Albania” nga ora 20:45. Në Tiranë e pret edhe Ukrainën më 19 nëntor.
Shqipëria është e treta në Grupin 1 të Ligës B të Ligës së Kombeve. Bashkë me Gjeorgjinë kanë nga gjashtë pikë, kurse Çekia është para me shtatë pikë. Ukraina e fundit me katër pikë nga katër ndeshje të zhvilluara.