Futboll

Sfida e madhe e Shqipërisë jashtë fushës së blertë

Mirlind Daku

Foto: Associated Press

Në fushë, synimi i madh nuk u arrit. U humb penallti, u humb një tjetër rast në pjesën e dytë dhe Thomas Strakosha bëri një pritje vendimtare, ndërsa Shqipëria mori vetëm barazim pa gola ndaj Serbisë të shtunën mbrëma në “Air Albania” në Tiranë.

Për shkak të penalltisë së humbur në fund të pjesës së parë, ndjenja e përgjithshme është se janë lëshuar dy pikë, më shumë se që është fituar një. Shqipëria ndaj rivales së madhe të shqiptarëve, jo vetëm sportive, kishte përkrahje të hatashme nga tribunat. Dhe kjo e bën edhe më të rëndë rezultatin e ndeshjes. 

Ndeshja tjetër me Serbinë zhvillohet te kjo e fundit. Rrjedhimisht, kuqezinjtë janë në disavantazh në garën për pozitën e dytë në grupin kualifikues për Kupën e Botës 2026. Pozita e parë në Grupin K besohet fuqishëm se do t’i takojë Anglisë, ndonëse ajo fitoi vetëm 1:0 ndaj Andorrës, po të shtunën. Në grupin ku është edhe Letonia, gara për vendin e dytë nga fillimi është pritur të jetë mes Shqipërisë dhe Serbisë. Pozita e dytë dërgon në plejof.

Me pak ndërprerje të shkurtëra, për shkak të hedhjes në fushë kryesisht të gotave të plastikës të mbushura me pije, ndeshja në fushë përfundoi pa ndonjë incident serioz. Nuk kishte incidente mes lojtarëve, nuk kishte “pushtim” të fushës. Numri i policëve të angazhuar ishte jashtëzakonisht i madh. Dhe rrjedha e ndeshjes nuk u rrezikua. 

Kjo vlerësohet e rëndësishme sidomos për Federatën Shqiptare të Futbollit. Por edhe për imazhin e Shqipërisë në përgjithësi. 

Derisa fitorja e dëshiruar shumë mungoi, ndeshja hapi e konfirmoi “plagë” që mund ta godasin suksesin sportiv të ekipit të Shqipërisë. Grupet më të zjarrta të tifozëve, që kanë përkrahur Shqipërinë në stadiume për dekada, nuk ishin në Arenën Kombëtare të shtunën mbrëma. Ishin në Tiranë, por jo në stadium. Grupet si Tifozat Kuq e Zi nuk pajtohen me politikën e Federatës Shqiptare të Futbollit dhe sidomos të presidentit të saj, Armand Duka. Madje e kundërshtojnë ashpër atë, sidomos për vendimin që ta organizojë bashkë me Federatën e Futbollit të Serbisë të Kampionatit Evropian U21 në vitin 2027. 

Kjo u bë e qartë edhe në stadium. Duka është fyer shumë herë nga shikuesit në stadiumin e bukur në Tiranë. Për shkak të fyerjes së vazhdueshme ndaj Serbisë, fishkëllimave që bënë që himni i Serbisë të mos dëgjohej fare dhe hedhjeve në fushë, është e qartë se FSHF-ja do të dënohet nga FIFA. Por kjo është çështje e vogël me telashet tjera që aktualisht e rrethojnë ekipin e Shqipërisë.

Shumë prej tyre kanë të bëjnë me organizimin e përbashkët të Evropianit U21 bashkë me Serbinë. Këtë tifozët dhe mbështetësit e Shqipërisë nuk po e pranojnë kurrsesi. 

E shtuna dëshmoi po ashtu që shumë prej tifozëve të Shqipërisë, ata që bëjnë çdo gjë për një vend në stadium, janë nga Kosova. Lokalet e rrugët e Tiranës gjatë gjithë ditës ishin të mbushur me mbështetës nga Kosova. Nga shumica është përballuar çmimi shumë i lartë i biletës, që në tregun e zi është bërë edhe shumë herë më i shtrenjtë. Janë përballuar tollovitë e pabesueshme në trafik dhe mungesa e parkingjeve, kontrollet në raste të tepruara të policisë. Ka pasur frustrim të përgjithshëm pas raportimeve që në stadium janë larguar simbole që kanë të bëjnë me UÇK-në, të cilës i është brohoritur vazhdimisht gjatë ndeshjes.

Shumica e të pranishmëve në stadium nuk pajtohen me politikën e FSHF-së dhe kundërshtojnë ashpër vendimin për Evropian të përbashkët me Serbinë. Kjo nuk do të ndryshojë. Por përfundimisht nuk do të ndryshojë as dashuria për Shqipërinë dhe ngjyrat kuqezi. Me apo pa vetëdije, vendime të shumta të FSHF-së shkojnë kundër lidhjes së tifozëve të zjarrtë me ekipin. Por interesimi i jashtëzakonshëm për ndeshjen ndaj Serbisë dëshmoi se dashuria për ekipin e Shqipërisë e kalon atë që po e bën dhe e paraqet FSHF-ja.