Shumë gjëra i kishin shkuar në mendje Toni Gomesit pas 7 gushtit të vitit 2016. Por ai kurrë nuk e kishte menduar se një ditë do të luante për ndonjë klub të futbollit në Kosovë, sidomos pas debutimit me ekipin e parë të Liverpoolit, atëbotë i drejtuar nga trajneri gjerman, Jurgen Klopp. Nëse jo në Liverpool, Gomes shpresonte të paraqitej për ndonjë klub tjetër të madh evropian. Por, karriera e tij nuk shkoi ashtu siç kishte menduar. Ai fillimisht ishte huazuar nga Liverpooli te Forest Green Rovers e më pas ndërroi edhe shtatë klube të tjera. Javë më parë, Gomes 26-vjeçar iu bashkua Prishtinës së Re, skuadër debutuese në Superligën e Kosovës në futboll.
Edhe për Gomesin ishte debutim në Superligë.
Debutimi i Gomesit në elitën e futbollit të Kosovës ishte i suksesshëm.
Ai shënoi dy gola në fitoren 4:0 të Prishtinës së Re ndaj Malishevës të dielën. Golin e parë e shënoi në minutën e dytë shtesë të pjesës së parë dhe golin e dytë në minutën e 56-të.
Gomes është i kënaqur me dy golat e shënuar. Premton edhe gola të tjerë. Por ai insiston se “goli” më i mirë në karrierën e tij mbetet debutimi te Liverpooli.
Rastin për t’u paraqitur me ekipin e parë të një prej klubeve më të mëdha në botë ia kishte dhënë gjermani Jurgen Klopp.
“Nuk di nga t’ia filloj të flas për periudhën te Liverpooli. Kam shumë kujtime të mira, në ditën time të dytë në klub e pashë veten duke u stërvitur me legjendën e Liverpoolit, Steven Gerard. Trajner atëbotë i ekipit të parë ishte Brender Rodgers dhe më vonë Jurgen Klopp me Pep Lynder. Paraqitja me ekipin e parë për 45 minuta kundër Mainzit në Gjermani në miqësoren e vitit 2016, mendoj se është një nga kujtimet më të mira”, ka thënë Gomes për KOHËN të martën.

Liverpooli kishte humbur 4:0 nga Mainzi, në miqësoren e fundit përgatitore për edicionin 2016/2017 të Premier Leagues së Anglisë. Gomes hyri si zëvendësues në pjesën e dytë. Ndër emrat më të njohur që ishin bashkë me Gomesin në bankën e rezervistëve ishin yjet Sadio Mane, Firmino e Coutinho. Titullar ishte Trent Alexander-Arnoldi, i cili muajin e kaluar iu bashkua Real Madridit.
“Kam luajtur me Trent Alexander Arnold, Coutis Jones, në akademi. Kam stërvitur me ekipin e parë shumë kohë me të gjithë lojtarët atje, si Mane, Firmino e Coutinho”, thotë Gomes.
Para se t’i bashkohej Guinea-Bisaut, Gomes luajti disa ndeshje për Portugalinë U18 dhe U17. Ai tregon se në grupmoshat e reja të Portugalisë ka luajtur me Diogo Dalotin e Manchester Unitedit.
“Kam luajtur për ekipin kombëtar të të rinjve të Portugalisë. Tash luaj për kombëtaren e Guinea Bissaut. Në Portugali luajta me Diogo Dalotin, lojtarin që tani është në Manchester United”, ka theksuar Gomes.
Ai u lind në Bisau, ndërsa ka edhe nënshtetësinë portugeze. Është zhvilluar te Liverpooli.
Ai është i lumtur që është pjesë e Prishtinës së Re. Thotë se është pritur ngrohtë në Kosovë.
Gomes premton të tjerë gola për Prishtinën e Re.
“Është një ndjenjë e mrekullueshme të shënosh në debutimin tënd, pata fatin të isha në atë pozicion pas topit të dytë, por është një gol ekipi, punuam shumë si ekip për ta fituar atë ndeshje”, është shprehur Gomes.
Ai ka theksuar se ka pasur oferta nga disa klube të tjera. Por i ka pëlqyer projekti i Prishtinës së Re.
“Është normale gjatë periudhës së afatit të transferimeve. Menaxherët e mi më kontaktojnë dhe më dërgojnë ofertën. Më duhet pastaj të bëj zgjedhjen. Në atë moment patëm tri oferta, një klub nga Serie B e Brazilit, një nga Izraeli dhe një nga Kosova. Të gjitha ofertat që kisha në tavolinë ia tregova edhe familjes sime, por në fund zgjodhëm Prishtinën e Re, sepse është ndryshe kur flet direkt me drejtorin sportiv dhe trajnerin. Ata me të vërtetë dëshiruan që unë të jem këtu në këtë projekt të ri. Dhe, jeta këtu është shumë e mirë për mua, më pëlqen ushqimi dhe njerëzit janë të mirë gjithashtu, veçanërisht në klubin tim. Të shohin së pari si person para se të shohin si lojtar, kështu që kjo është një gjë pozitive”, thotë Gomes.
Gomes synon të paraqitet me Prishtinën e Re në garat evropiane për edicionin 2026/2027.
"Atë që klubi ka qëllim, është edhe qëllimi im, sepse nëse arrijmë atje si ekip, të gjithë do ta arrijnë këtë qëllim, të luajmë në gara ndërkombëtare për sezonin e ardhshëm, sepse ky klub meriton shumë”, ka thënë Gomes.
Prishtina e Re e luan në shtëpi ndaj Ferizajt ndeshjen e xhiros së dytë të Superligës në futboll. Dhe, Gomes shpreson ta ndihmojë ekipin e tij të arrijë fitoren e dytë rresht në Superligë.