Ish-sulmuesi i Brazilit, Romario, është kthyer nga pensionimi në moshën 58-vjeçare dhe është regjistruar te klubi brazilian, America Football Club, për të luajtur përkrah djalit të tij.
Romario, i cili e fitoi Kupën e Botës në vitin 1994, është president i klubit nga Rio de Janeiro, që luan në kategorinë e dytë të futbollit në regjionin e Rios.
Romario ka thënë se nuk do të luajë në ligë, por ka shprehur dëshirën që të ketë disa minuta në disa ndeshje me djalin e tij, Romarinhon.
Romario ndeshjen e fundit e luajti në nëntor të vitit 2009, ka shkruar “BBC” të mërkurën.
Karrierën e nisi në vitin 1985 në Vasco de Gama, para se të kalonte e të kishte suksese te PSV-ja në Holandë dhe te Barcelona në Spanjë.
U pensionua në vitin 2009 dhe ndeshjen e fundit e luajti për America FC, aty ku luajti babai i tij, Edevair.
Romario ka shënuar 55 gola në 70 ndeshje për Brazilin dhe u emërua lojtari më i mirë i vitit nga FIFA në vitin 1994, pasi shënoi pesë gola në kampanjën e Kupës së Botës.