Futboll

Rezultati nga ndeshja e parë i jep Dritës shpresë për plejof

Drita

Katër herë kampionia e Kosovës në futboll, Drita, shfaqi ndeshje të madhe në udhëtim te FCSB-ja të enjten mbrëma. Ndaj ish-kampiones evropiane ishte në epërsi prej dy golave për 64 minuta. Por në fund u mposht me gol të minutës së 94-t, 3:2. Diferenca prej një goli nuk është shumë e madhe dhe Drita ka gjasa reale për kualifikim tutje, ka deklaruar Veton Tusha të premten për KOHËN. Drita e humbi ndeshjen e parë të rrethit të tretë kualifikues të Ligës së Evropës. Skuadra që avancon tutje do të vendoset pas një jave në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

“Rezultati na jep ende gjasa reale për kualifikim. Kemi treguar se mund të luajmë përballë një kundërshtari të fortë si FCSB. Ndeshja e kthimit do të jetë vendimtare, dhe në shtëpi, me përkrahjen e tifozëve, do të japim gjithçka për të kaluar tutje. Besoj shumë në kualitetin tonë”, ka deklaruar Tusha, që e shënoi golin për 1:0 në minutën e shtatë. Ai ia kushtoi golin bashkëlojtarit Juan Camilo Mesa, duke e ngritur lart fanellën me numrin 5. Mesa është qendërmbrojtës, ndërsa nuk u paraqit ndaj FCSB-së shkaku i një lëndimi të rëndë në gju. Arb Manaj në minutën e 50-të e dyfishoi epërsinë. Goli i Manajt u pranua vetëm pas disa minutave kur u konfirmua pas rishikimit të situatës në VAR.

Për skuadrën rumune realizuan Daniel Birligea dhe Daniel Graovac. Për Dritën ishte humbja e tretë rresht, ndërsa për FCSB-në, fitorja e parë pas ecurisë prej katër humbjeve në të gjitha garat.

“Po, kemi hyrë me besim dhe përgatitje maksimale. E kemi ditur që përballë kishim një emër të madh si FCSB, por nuk jemi ndier inferiorë në asnjë moment. Goli i hershëm ishte rezultat i vendosmërisë dhe punës së ekipit. E kam ndier që mund ta zhbllokoj ndeshjen dhe jam krenar që e bëra këtë për ekipin”, theksoi Tusha.

Ekipi që kualifikohet në plejof të Ligës së Evropës do të ballafaqohet me Aberdeenin, skuadrën e njohur skoceze. Ndeshjet e plejofit të Ligës së Evropës luhen më 21 dhe 28 gusht.

Skuadra që eliminohet do të ketë tjetër mundësi në kualifikimet e kupave evropiane. Drita apo FCSB-ja në plejofin e Ligës së Konferencës do të luajë ndaj Differdanges së Luksemburgut apo Levadias së Estonisë. Drita e eliminoi Differdangen në raundin e parë kualifikues të Championsit me rezultatin e përgjithshëm 4:2. Më pas u eliminua nga Copenhageni në raundin e dytë kualifikues, dhe u bart në Ligën e Evropës.

Në stadiumin në Bukuresht, të pranishëm ishin afro 14 mijë shikues, por nuk ishin ata të Dritës. “Intelektualët” do të jenë të pranishëm në “Fadil Vokrri” javën e ardhshme. Tusha mbështetet në përkrahjen e zjarrtë të tyre.

“Tani e presim me padurim ndeshjen e kthimit, sepse e dimë që ‘Intelektualët’ do të jenë aty në numër të madh. Ata janë zemra e Dritës, dhe na japin motiv dhe energji shtesë sa herë janë pranë nesh”, deklaroi Tusha, që po ashtu e përmend grupin e bashkuar e atmosferën e mirë në ekip.

FCSB-ja në Ligën e Evropës u bart pasi u eliminua në rrethin e dytë kualifikues të Ligës së Kampionëve nga Shkëndija e Tetovës.

FCSB-ja është skuadra më e suksesshme e futbollit rumun me 28 tituj e 24 trofe të Kupës së Rumanisë. FCSB-ja e fitoi Kupën Evropiane në edicionin 1985-86, duke e mposhtur Barcelonën në finale.