Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Futboll

Reali shpreson ta gjejë shkëlqimin në Champions

Real Madrid

Trajneri i Real Madridit, Alvaro Arbeloa, shpreson që skuadra e tij ta shfaqë më të mirën e mundshme në ndeshjen e parë të çerekfinales së Ligës së Kampionëve.

Real Madridi e pret Bayernin në “Santiago Bernabeu”, të martën prej orës 21:00 dhe synon të reagojë pas humbjes 2:1 nga Mallorca të shtunën në La Liga. Humbja, që u pësua me golin e Vedat Muriqit në kohën shtesë, ka larguar Madridin nga gara për titull në Spanjë.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“U kam thënë lojtarëve që nuk ka kohë për të menduar për atë që ndodhi”, ka thënë Arbeloa të hënën në konferencë për shtyp.

“E vetmja gjë që mendojmë është se si të fitojmë në Champions”.

Realin e pret test i vërtetë ndaj Bayernit të Vincent Kompany. Gjiganti bavarez është në krye të Bundesligës me nëntë pikë më shumë se përcjellësi. Bayerni përfundoi i dyti në fazën e ligës në Champions, duke e pësuar vetëm një humbje.

“Bayerni është agresiv në mbrojtje. Është skuadër që nuk ka frikë. Lojtarët e saj janë trima, markojnë kundërshtarët shumë afër, kthehen me shpejtësi maksimale, luajnë me intensitet dhe me ritëm. Është ekip i balancuar që mund të bëjë dëme në shumë mënyra. Bayerni ka kapacitet për të shënuar shumë gola dhe luan mbrojtje në të cilën kontribuojnë të gjithë”, ka shtuar Arbeloa.

Ai megjithatë beson se Real Madridi, si zakonisht, do të shkëlqejë në skenën më të madhe. Historia e favorizon Realin ndaj Bayernit dhe Arbeloa bazohet edhe në këtë.

Edhe te Bayerni kanë folur me respekt maksimal për kundërshtarin.

Mesfushori i Bayernit, Joshua Kimmich ka theksuar se Real Madridi ka stil unik të lojës. Sipas tij, madrilenët mund të rrezikojnë nga çdo pozitë. Kimmich ka theksuar se do të jetë me rëndësi të imponohet stili i lojës së Bayernit, me përshtatje në stilin e madrilenëve.

Bavarezët janë të trimëruar me kthimin në skuadër të sulmuesit kryesor, Harry Kane. Ai mungoi në fundjavë, por ka stërvitur të hënën dhe pritet të jetë gati për top-ndeshjen në “Bernabeu”.

“Harry është jashtëzakonisht i rëndësishëm për ne, kjo është e qartë. Ai ka rëndësi të madhe në lojën tonë, pasi nuk është vetëm lojtar që përfundon aksionet. Ai është lider absolut, model që duhet ndjekur. Ai ka përkushtim të veçantë për një lojtar sulmues. Nëse luan, aftësitë e tij prej lideri do të jenë të rëndësishme”, ka thënë Kimmich.

Ai e di që për ta mposhtur Madridin, Bayerni duhet të jetë në nivelin më të mirë taktik dhe mendor. Ka thënë se te Bayerni janë në frymë të mirë dhe mezi presin të fillojë ndeshja.

“Është gjëja më e mirë, është diçka që e ëndërron si lojtar”, ka theksuar Kimmich.

Të martën prej orës 21:00 është edhe çerekfinalja tjetër mes Sportingut dhe Arsenalit. Sportingu vlerësohet autsajder në këtë nivel të garës. Por londinezët do të jenë të kujdesshëm. Arsenali e udhëheq garën për titull në Angli, ndërkohë që është eliminuar nga dy kupat angleze. Skuadra e Mikel Artetas e synon edhe titullin e Evropës.

Sportingu megjithatë ka plane të tjera.

“Duam të bëjmë ëndrrat realitet dhe të vazhdojmë të shkruajmë histori për këtë klub të madh. Energjia e stadiumit tonë dhe e tifozëve tanë do të jetë shumë e rëndësishme për të krijuar një natë magjike. Mund të bëjmë diçka të jashtëzakonshme me këtë”, ka thënë Rui Borges, trajner i Sportingut.

Dy çerekfinale të tjera janë të mërkurën prej orës 21:00.