Mesfushori Miralem Pjaniq të shtunën ka njoftuar për pensionimin nga Përfaqësuesja e Bosnjë-Hercegovinës.
Pjaniq njoftimin e ka bërë nëpërmjet rrjeteve sociale.
“Pas 16 vjetësh ka ardhur momenti të them lamtumirë. Ky është padyshim një nga vendimet më të vështira që më është dashur të marr, por me krenari të madhe dhe kënaqësi të vërtetë them që mjafton. Gjithmonë kam veshur fanellën e vendit tim me dashuri dhe krenari, kam luajtur për popullin tim, për tifozët tanë besnik në mbarë botën. Faleminderit të gjithë përzgjedhësve, stafit mjekësor dhe gjithë të tjerëve që na kanë mbështetur në këtë rrugëtim”, ka shkruar Pjaniq.
34-vjeçari me fanellën e Bosnjë-Hercegovinës ka zhvilluar 115 paraqitje dhe ka shënuar 17 gola.
Aktualisht Pjaniq është pjesë e skuadrës së Sharjahit në Emiratet e Bashkuara Arabe. Karrierë ka bërë edhe te Barcelona, Juventusi, Roma dhe Beshiktashi.