Futboll

Nga dëshpërimi i thellë te shpresa e madhe

Kosova

Kosova - Suedia 2:0

Një 90 minutësh ndryshoi çdo gjë rreth përfaqësueses së Kosovës në futboll. 

Dëshpërimi i madh u kthye në shpresë të madhe. Përnjëherë thuajse të gjithë e harruan humbjen e rëndë, që disa e vlerësuan turpëruese, 4:0 nga Zvicra të premten në Basel. Ajo humbje tani duket një episod i ligë dhe i shkëputur, në një ecuri pozitive të përfaqësueses së Kosovës.

Kjo është forca e një fitoreje dhe një paraqitje bindëse pas një humbje e një goditjeje të rëndë. E tillë ishte fitorja ndaj Suedisë, të hënën mbrëma në “Fadil Vokrri”. Yjet e mëdhenj ishin në anën tjetër të fushës. Por ishin ata me fanella të kaltëra që luftuan dhe që e deshën më shumë fitoren. Që nuk lanë cep të fushës pa shkelur në përpjekje për të dëshmuar se vlejnë më shumë se lojtarët që u dominuan plotësisht në fushën e stadiumit “St. Jakob-Park” në Basel.

2:0 ishte rezultati në fund. Pos fitores ishte edhe paraqitja, e sidomos lufta në fushë, që dëshpërimin përnjëherë e ktheu në shpresë. Shpresë për të arritur gjë të madhe në këtë cikël kualifikues për Botërorin që vitin tjetër mbahet në SHBA, Meksikë e Kanada. 12 raste të krijuara për dallim nga 14 sa i kishte Suedia e mbushur me yje të Premier Leagues. Disa prej rasteve të parealizuara, shumë të mira. Sidomos ai i minutave të fundit, kur Florent Muslija ishte i vetëm përballë portierit të Suedisë.
Bindja është që fitorja ka mundur të jetë edhe më e thellë. Paraqitja në fushë e jep një mendim të tillë. Rastet e krijuara.

Pas fitores, pakkush e kishte mendjen te mungesat e shumta të Kosovës. Mungoi thuajse gjysma e ekipit që vlerësohet “startues”. Megjithatë, pas suksesit ndaj Suedisë vështirë mund të thuhet se ata që munguan janë më të rëndësishëm se ata që luajtën. Të paktën për atë që shfaqin me fanellën e Kosovës, e jo nivelin e klubeve ku luajnë. 

Amir Rrahmani, Milot Rashica, Edon Zhegrova, Florent Hadërgjonaj, Emir Sahiti ishin mungesat në ndeshjen e së hënës mbrëma. Disa për shkak të lëndimeve e disa për arsye të pashpjegueshme. 
Por si rrallë herë, vëmendja ishin tek ata që luanin e jo tek ata që mungonin. Mbrojtja me pesë lojtarë funksionoi. Fidan Aliti, Lumbardh Dellova e Ilir Krasniqi ishin në qendër. Dion Gallapeni e Mërgim Vojvoda në krahë. Para tyre dyshja e Bundesligës, Elvis Rexhbeçaj e Leon Avdullahu. Në mesfushë, më i avancuar, Florent Muslija. Ndërkohë në sulm i pazëvendësueshmi, Vedat Muriqi dhe përkrah tij Albion Rrahmani. Në vend të Krasniqit, po në formacionin me pesë mbrojtës, është dashur të startojë Baton Zabërgja. Por ai u lëndua gjatë ngrohjes dhe Krasniqi fitoi rastin për të dëshmuar se është i vlefshëm për Kosovën.

Derisa në Zvicër, Franco Foda mund të ketë marrë leksione për vendosjen dhe lojën në aspektin taktik, formacioni që zgjodhi për ndeshjen ndaj Suedisë doli i qëlluar. Fitorja nuk lë dilema për këtë. Foda është shfaqur shumë energjik në stol. Nuk ka ndalur këshillat me zë të lartë për lojtarët. Një vrapim në kundërsulm i Elvis Rexhbeçajt solli golin e parë, ndonëse me pak fat. Një tjetër kundërsulm, i ekzekutuar nga Albion Rrahmani, solli supergolin e Vedat Muriqit. 

Mbrojtja me pesë lojtarë ishte efikase. Yjet e Suedisë nuk është se lanë ndonjë gjurmë në fushën e stadiumit që mban emrin e legjendës Vokrri.

Muriqi është tjetër legjendë e futbollit të Kosovës. 32 golat në 62 paraqitje lejojnë që të vlerësohet i tillë.

Dhe sulmuesi ishte më i matur se të tjerët, si zakonisht. 

“Kjo është Kosova e vërtetë që duan të shohin njerëzit dhe që jemi ne në të vërtetë. Kemi treguar që ajo kundër Zvicrës ishte vetëm një gabim i vogël dhe humbje e koncentrimit. Pos fitores më pëlqen reagimi i ekipit pas disfatës 4:0. Të luajmë para tifozëve tanë, me presionin që kishim pas ndeshjes me Zvicrën, mund të them se kemi bërë reagim të jashtëzakonshëm gjithë lojtarët. E kemi përjetuar lojën shumë. Muajin tjetër e presim Slloveninë. Një fitore ndaj Sllovenisë do të bëj të ëndërrojmë shumë gjëra më të mëdha që i presim ne dhe njerëzit”, ka thënë Muriqi.

Pas dy xhirove, Kosova është e dyta në Grupin B të kualifikimeve. Zvicra i ka gjashtë pikë, Kosova tri, ndërsa Suedia dhe Sllovenia nga një. 

Nëse mbahet kjo pozitë deri në fund, pra edhe pas katër xhirove, për Kosovën do të ishte sukses i madh. Do të sigurohej plejofi i kualifikimeve për Botëror. Siç tha lideri i përfaqësueses, Muriqi, shumë do të varet nga ndeshja e 10 tetorit me Slloveninë.

Por tashmë është e qartë që për një 90 minutësh dëshpërimi i thellë është zëvendësuar me shpresë të madhe.