Mediumi i njohur sportiv suedez “Fotbolldirekt” ka shkruar të dielën për Jetmir Kocin që po vlerësohet në Suedi. Ai është pjesë e të rinjve të klubit Eskilsminne.
17-vjeçari për mediumin suedez ka thënë se synon shumë në karrierë.
Në fundin e vitit të kaluar, ai ishte i ftuar nga të rinjtë e Shqipërisë për një kamp treditor. Në mesin e pjesëmarrësve kishte edhe futbollistë të akademive të Bayern Munichut, Brentfordit e klubeve tjera evropiane.
Thotë se kishte marrë lëvdata, ndërsa ka bërë të ditur se është duke u kërkuar nga disa klube shqiptare.
“Ishte ndjenjë e mirë por isha i stresuar në fillim. Gjithçka shkoi mirë. Bisedova me një skaut pas atyre stërvitjeve, ishte shumë i interesuar për mua. Më pas janë interesuar disa klube në Shqipëri. Unë dua të luajë futboll. Është ëndërr e imja të jem pjesë e ndonjërës prej top 5 ligave më të forta. Arsenali është skuadra ime favorite. Kam ëndrra të mëdha dhe dua që të arrijë sa më shumë që është e mundur. Por për fillim do të ishte gjë pozitive nëse do të luaja fillimisht në ‘Allsvenskan’”, ka thënë ndër të tjera Koci, i cili luan si mesfushor ofensiv por edhe si sulmues i krahut.
Në pesë ndeshjet e fundit me grupmoshën U17, Koci ka shënuar pesë gola e katër asistime.
Ka pasur edhe paraqitje me grupmoshën U19 ku ka regjistruar tri asistime në 110 minuta lojë.