Futboll

Në Serbi u dhemb paraqitja e Leskovcit si tokë shqiptare nga “Plisat”

Tifo-grupi “Plisat”

Tifo-grupi “Plisat” të shtunën gjatë ndeshjes derbi ndërmjet Prishtinës dhe Ballkanit shpalosën një mesazh që ngjalli shumë reagime të dielën në Serbi. Paraqitja e Leksovcit si tokë shqiptare nga “Plisat” nuk ka kaluar pa u komentuar në Serbi. 

Mediumet serbe e kanë cilësuar provokim mesazhin përkrahës të “Plisave” para ndeshjes që Shqipëria e luan kundër Serbisë në Leskovc. 

“Në Leskovcin tonë, në tokën e Shqipërisë, na bëni krenarë për nderë të historisë”, ishte mesazhi i “Plisave” i shpalosur në ndeshjen derbi të Superligës e zhvilluar të shtunën në Hajvali.

“Alo” e ka cilësuar si provokim skandaloz mesazhin e “Plisave”.

“Provokim skandaloz nga Prishtina, Leskovci u quajt territor shqiptar”, shkruan në titullin e shkrimit të mediumet serb.

Pati edhe disa mediume tjera që paraqitën me fotografi mesazhin e “Plisave”.

Tifo-grupi në përkrahje të Prishtinës, njihet për mbështetje të Shqipërisë.

Ndeshja Serbi – Shqipëri luhet më 11 tetor në Leskovc. Kjo ndeshje i takon kualifikimeve për Kupën e Botës 2026.