Futboll

“Ne fituam dy Premier League në dy edicionet e fundit”

Mikel Arteta

Trajneri Mikel Arteta ka thënë se Arsenali e ka fituar dy herë Premier Leaguen në dy edicionet e fundit, pasi ka pasur më shumë pikë në fund të këtyre kampanjave sesa Liverpooli në edicionin aktual. 

Liverpooli e fitoi titullin e 20-të në elitën e futbollit anglez javë më parë dhe Arteta i është referuar këtij fakti. 

Arsenali në dy edicionet e fundit përfundoi në vendin e dytë, pas Manchester Cityt. 

“Fitimi i trofeve është kur je në kohën dhe vendin e duhur. Liverpooli e fitoi titullin me më pak pikë sesa që kishim ne në dy sezonet e fundit. Me pikët që i kishim në ato dy edicione, do të kishim dy tituj të Premier Leagues”, ka thënë 43-vjeçari duke qeshur, shkruan BBC të mërkurën. 

Liverpooli që ka 82 pikë tri xhiro para fundit, mund ta kalojë Arsenalin që kishte 89 pikë në sezonin e fundit, dhe 84 në edicionin 2022-23.