Liga C e Liga B kanë dallim të madh. Për këtë më së miri mund të tregojnë futbollistet e Kosovës.
Pas serisë prej 14 ndeshjeve pa humbje, gjatë së cilës i kishin 13 fitore, futbollistet e Kosovës e pësuan humbjen e dytë rresht. Shumë të thellë madje.
Të martën pasdite në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë, përfaqësuesja e Kosovës u mposht 6:0 nga Uellsi. Për Kosovën ishte ndeshja e dytë në kualifikime për “Euro 2025” dhe humbja e dytë. Të premten e kaluar u mposht 2:0 nga Ukraina në Antalya.
Kualifikimet për “Euro 2025” po zhvillohen në format të njëjtë me Ligën e Kombeve. Pra përfaqësueset janë të ndara në tri liga. Kosova për herë të parë është në Ligën B dhe po ka telashe të mëdha. Gjatë serisë prej 14 ndeshjeve pa humbje kishte avancuar prej Ligës C në Ligën B. 13 fitoret e kishte ndaj përfaqësueseve të nivelit C, apo ndaj përfaqësueseve joevropiane.
Por Liga B është diçka tjetër. Këtë e kanë pranuar te Kosova pas ndeshjes me Uellsin. Uellsianet janë favorite të Grupit 4 të Ligës C dhe kanë dominuar plotësisht në fushën e stadiumit në Podujevë.
Rachel Rowe shënoi golin e parë në ndeshje, në minutën e 30-të. Kayleight Barton shënoi për 2:0 në minutën e 44-t. Rowe shënoi tjetër gol në minutën e 60-të, ndërsa menjëherë në minutën e 62-të realizoi Ffion Morgan për 4:0. Elise Hughes realizoi dy golat e fundit, në minutat e 85-të dhe 93-të.
Kosova nuk ka rrezikuar thuajse asnjëherë portën kundërshtare. Kishte vetëm një rast gjithë ndeshjen dhe atë goditje të pasaktë.
Uellsi të premten kishte fituar 4:0 ndaj Kroacisë, ndërsa të martën në Podujevë është shfaqur ekip i nivelit krejt tjetër në krahasim me Kosovën. I nivelit dukshëm më të lartë. Lojtaret e Uellsit luajnë kryesisht në klube të Premier Leagues dhe këtu është dallimi. Te Kosova vetëm kapitenia Erëleta Memeti luan në nivel superior evropian, përkatësisht në Bundesligë.
Tri prej katër përfaqësueseve në grup avancojnë në plejof. Gjasat e Kosovës nuk vlerësohen të mëdha. Në grup është edhe Kroacia, me të cilën Kosova luan në shtëpi më 31 maj. Nëse mbetet e fundit në grup, Kosova kthehet në Ligën C.
Përzgjedhësja e Kosovës, Anneli Andersen, e ka vlerësuar dëshpërues rezultatin e ndeshjes.
“Ka shumë gjëra që po i bëjmë mirë e disa jo. Më dëshpëruese është rezultati 6:0. Në këto faza është e rëndësishme të mbash rezultatin, sepse në fund ai rritet. Po bëjmë hapa para dhe po mundohemi të mësojmë vazhdimisht”, ka thënë Andersen.
Kapitenia Erëleta Memeti pranon se janë ende larg nivelit që kërkohet.
“Është nivel ndryshe dhe kjo lojë duhet të na shërbejë për eksperiencë. Çdo vajzë duhet të ushtrojë edhe më shumë në shtëpi për të rritur nivelin. Ne duhet të përmirësohemi për të arritur këtë nivel. Jemi munduar ta ruajmë rezultatin, por kjo nuk funksionoi. Pamë që ky nivel është i lartë. Çdo lojtare duhet të punojë edhe më shumë individualisht në aspektin fizik, pasi në momentet e fundit të lojës forca fizike ishte më e dobët dhe pësuam më shumë gola”, ka thënë Memeti.
Mbrojtësja e krahut, Rrezona Ramadani, konfirmon se Liga B është bindshëm më e fortë se Liga C.
“Ndeshje shumë e vështirë për ne, por mendoj që rezultati nuk ishte real. E dimë se niveli i Ligës B është më ndryshe se e Ligës C, por kemi edhe katër ndeshje dhe duhet të tregojmë se ky rezultat nuk ka qenë real dhe të mundohemi të fitojmë sa më shumë pikë në të ardhmen. Kemi përparuar, por duhet të tregojmë paraqitje më të mira në Ligën B. Ngritja në Ligën B nga Liga C ka qenë sukses për ne”, ka thënë Ramadani.
Tek Uellsi kanë thënë se paraqitja dhe fitorja ishin dominuese.
“Është dashur të përshtatemi fillimisht. Fusha ishte e vogël dhe është dashur të luajmë lojë kompakte. Jemi paraqitur mirë sidomos në pjesën e dytë. Kishim shumë raste dhe ishte fitore bindëse për ne. Të gjitha lojtaret kemi dhënë kontribut në këtë fitore”, ka thënë golashënuesja Rachel Rowe.