Futboll

Mbappe premton rikthimin e tij, në mbrojtje i del edhe Ancelotti

Kylian Mbappe

Sulmuesi francez, Kylian Mbappe, sërish ka qenë temë diskutimi. Dyshimet nëse ai është i duhuri për sulmin e Real Madridit janë rritur pasi të mërkurën në mbrëmje humbi tjetër penallti. Ai nuk ishte i saktë nga pika e bardhë në humbjen 2:1 në La Liga, në udhëtim tek Athletic Bilbao.

Mbappe humbi penallti edhe në Ligën e Kampionëve, saktësisht më 27 nëntor në humbjen nga Liverpooli.

Por Mbappe nuk fshihet. Ai ka marrë përgjegjësinë, por ka dhënë mesazh pozitiv për të ardhmen. Në llogaritë e tij në rrjetet sociale, ka treguar qartë se është optimist se forma e tij më e mirë do të kthehet shpejt.

“Rezultat jo i mirë. Gabim shumë i madh, ku çdo detaj vjen në konsideratë. E marr përgjegjësinë e plotë. Është moment i vështirë, por është koha ta ndryshoj këtë situatë dhe të tregoj se kush jam me të vërtetë”, ka shkruar Mbappe.

Në stadiumin “San Mames”, sulmuesi francez ishte aktiv, por ishte i pasuksesshëm. Ai vazhdon të dështojë në situata të ndryshme me mbrojtës kundërshtar. Ai është larg prej nivelit që jemi mësuar ta shohim, ka shkruar gazeta spanjolle “Marca” të enjten.

Mediumi spanjoll po ashtu ka shkruar se Mbappe në disa raste ka qenë edhe i pafat. Ka përmendur pesë golat e anuluar të tij në edicionin aktual.

Në 20 paraqitjet e këtij sezoni në La Liga, Ligën e Kampionëve dhe në Superkupën e Evropës, Mbappe ka shënuar dhjetë gola derisa ka kontribuuar edhe me dy asistime.

Edicionin e kaluar e mbylli me 44 gola e dhjetë asistime në 48 paraqitje, sa ishte pjesë e Paris Saint-Germainit.

Në verë iu bashkua madrilenëve si futbollist i lirë nga PSG-ja franceze.

Mbappe karrierë ka bërë edhe te Monaco.

Nga stafi i Real Madridit kanë thënë vazhdimisht se Mbappe është shumë i përkushtuar në punën që e bën çdo ditë dhe qëndrimi i tij është për t’u marrë shembull.

“Është vetëm çështje kohe”, thonë te klubi spanjoll.

Në mbështetje të Mbappes ka dalë edhe trajneri Carlo Ancelotti.

“Nuk kam folur me Mbappen. Nuk duhet ta vlerësoj paraqitjen e një futbollisti në bazë të penalltive. Ndonjëherë penalltitë shënohen e ndonjëherë jo. Pa dyshim se jemi të mërzitur nga rezultati, por ne duhet të vazhdojmë tutje”, ka deklaruar Ancelotti në konferencën për shtyp pas ndeshjes.

Real Madridi ka dy humbje në tri ndeshjet e fundit. E ka edhe një fitore ndaj Getafes. Por për formën jostabile të madrilenëve nuk është fajtor vetëm Mbappe.

Federico Valverde po ashtu ka qenë shumë i pakënaqur me rezultatin ndaj Athletic Bilbaos. Për shkak të gabimit të tij, vendësit shënuan për 2:1.

“Ishte goditje e rëndë, por e marr përgjegjësinë, përballem me të dhe kërkoj falje. U kërkoj falje bashkëlojtarëve dhe tifozëve. E di se është futboll dhe gjëra të tilla mund të ndodhin. Por unë nuk do të ndalem dhe nuk dua të fshihem për gabimin që kam bërë. Ka edhe shumë ndeshje të tjera, shumë gara, dhe besoj se do të kemi edhe gëzime”, ka deklaruar Valverde.