Futboll

“Mallkimi” i shiritit të kapitenit te Suedia

m

Rreth Suedisë, kundërshtares së Kosovës më 13 tetor në Goteborg, është hapur një temë e re, ajo e “mallkimit” të shiritit të kapitenit te kjo përfaqësuese. 

Kushdo që e ka mbajtur shiritin e kapitenit te përfaqësuesja skandinave në të kaluarën, është lënduar herët apo vonë. 

“Viktima e fundit, Isak Hien”, ka shkruar mediumi “Blick” të mërkurën. 

Qendëmbrojtësi ishte kapiten i Suedisë në ndeshjet e shtatorit dhe luajti 90 minuta për klubin e tij, Atalantan, në vikendin e kaluar. 

Por, aktualisht, nuk ka shenja të tij në seancat stërvitore të Suedisë. 

E njëjta vlen edhe për Anton Salestros, që së fundmi ka qenë titullar te Suedia. 

Asnjëri nga këta yje të Suedisë nuk ka ushtruar këtë javë. 

Ende është e paqartë nëse ata do të jenë të gatshëm për lojë për duelin ndaj Zvicrës të premten, dhe ndaj Kosovës tre ditë më vonë. 

Të dyja ndeshjet janë të rëndësishme për kualifikim në Botërorin 2026. 

“Shpresoj që ata të mund të luajnë. Nuk e dimë saktësisht se si do të jetë gjendja e tyre”, ka thënë selektori Jon Dahl Tomasson. 

Futbollisti i fundit që ka vuajtur nga “mallkimi” i shiritit të kapitenit është lideri Victor Lindelof. 

Qëkur u transferua në Premier League dhe pas lëvizjes së tij nga Manchester Unitedi tek Aston Villa, mbrojtësi nuk ka luajtur më shumë se dhjetë minuta. 

Lindelof mund të mos luajë 90 minuta as ndaj Zvicrës, në ndeshjen e parë të kualifikimeve të Botërorit në këtë muaj. 

“Ai nuk është i gatshëm për ta kompletuar ndeshjen. Duhet të kemi kujdes”, ka deklaruar Tomasson.