Drejtori sportiv i Luzerit, Remo Meyer, ka thënë se Donat Rrudhani do të kthehet tek Young Boysi.
Luzerni nuk ka shfrytëzuar opsionin e blerjes së kartonit të Rrudhanit.
Futbollisti i Kosovës ishte huazuar te Luzerni, që kishte opsionin e blerjes së kartonit nga Young Boysi. Por Meyer tha se marrëveshja nuk është arritur për çështje financiare.
“Për shkak të diskutimeve të ndryshme dhe kryesisht për arsye financiare vendimi u mor kundër aktivizimit të opsionit të blerjes”, ka thënë Meyer.
Rrudhani me Young Boysin ka kontratë deri në qershor të vitit të ardhshëm.
Ai shënoi nëntë gola dhe kontribuoi me gjashtë asistim për Luzernin në 31 ndeshje në Superligën e Zvicrës.