Luca Zidane, djali i legjendës së Francës, Zinedine Zidane, ka thënë se gjyshi i tij e ka përkrahur në procesin e ndryshimit të përfaqësueses.
Luca Zidane luan për Algjerinë, pasi ishte pjesë e Francës në grupmoshën e juniorëve.
Zinedine Zidane e ka fituar Kupën e Botës me Francën. Është po ashtu njëri prej lojtarëve më të mirë të Francës në histori. Ai udhëhoqi Francën drejt titullit të parë të botës në vitin 1998. Ndër të tjera i shënoi dy gola në finalen ndaj Brazilit, që përfundoi 3:0 për Francën. Legjenda Zidane po ashtu e udhëhoqi Francën drejt titullit të Evropës në vitin 2000. Ishte periudhë shumë e suksesshme e “Les Bleus”.
Vendimi për të ndryshuar përfaqësuesen nga Luca, erdhi befasishëm. Ai vendimin e mori në moshën 27-vjeçare. Luca që në moshë të re u kursye nga krahasimet me legjendën Zidane, duke u vendosur në portë.
Ai shpejt u bë portieri i parë i Algjerisë. Babai i tij e përcolli duke luajtur ndaj Sudanit në xhiron e parë të fazës grupore në Kupën e Afrikës. Algjeria fitoi 3:0 të mërkurën.
Luca Zidane nuk u testua shumë gjatë ndeshjes. Megjithatë bëri një pritje të rëndësishme, kur Algjeria ishte duke udhëhequr 1:0.
“Kur mendoj për Algjerinë, më kujtohet gjyshi. Që nga fëmijëria ne kishim këtë kulturë të Algjerisë në familje”, ka thënë Luca Zidane për “BeIN Sports”.
“Kam folur me të para se të luaja për ekipin përfaqësues. Ai ishte shumë i lumtur për këtë hap. Sa herë që ftohem, ai më thërret dhe më thotë që mora vendim shumë të mirë dhe që është krenar me mua”.
Luca Zidane ka theksuar se edhe babai i tij e ka përkrahur vendimin.
“Më ka përkrahur”, ka thënë Luca. “Më ka thënë: ‘ je i kujdesshëm, ky është vendimi yt. Unë mund të jap këshillë, por në fund vendimi final do të jetë i yti’. Prej momentit kur trajneri dhe presidenti i federatës më kontaktuan, ishte e qartë që dua të shkoj dhe ta përfaqësoj vendin tim. Pas kësaj kam folur natyrshëm me familjen dhe të gjithë anëtarët e saj janë të lumtur për mua”.
Zinedine Zidane e ka fituar Ligën e Kampionëve në vitin 2002 me Real Madridin, ndërsa në vitin 1998 e fitoi Topin e Artë.
Djali i tij luan për Granadan në Spanjë. Karrierën e nisi te Real Madridi. Ai gjithnjë e ka shkruar “Luca” në fanellë, por ka vendosur që fanella e përfaqësueses ta ketë të shkruar “Zidane”.
“Për mua të jem në gjendje ta nderoj gjyshin tim duke iu bashkuar ekipit nacional është shumë me rëndësi. Fanella e ardhshme me emër në të do të jetë për gjyshin”.