Me fitoret e arritura të shtunën në xhiron e 35-të të Superligës, Dukagjini dhe Prishtina siguruan mbijetesën. Dukagjini fitoi 3:1 në stadiumin “18 Qershori” në Klinë ndaj Ferizajt, ndërsa Prishtina e mposhti Feronikelin 74 në “Rexhep Rexhepi” me gol të minutave shtesë, 1:0. Fitore shënuan edhe Llapi e Suhareka, por xhiroja e fundit do të vendos se cila prej këtyre skuadrave do t’i bashkohet Feronikelit 74 në kategorinë e dytë për edicionin tjetër. Tjetra do të luajë në barazh. Llapi fitoi 1:0 në Suharekë ndaj Ballkanit, kurse Suhareka në stadiumin “Liman Gegaj” në Malishevë fitoi 2:1. 

Edhe gara për vendin e tretë që dërgon në kualifikimet e Ligës së Konferencës ka mbetur e hapur. Kjo u bë e mundur pas barazimit 0:0 të Gjilanit në derbin lokal me Dritën.

Drita e fitoi titullin javë më parë dhe aktualisht ka 71 pikë, dhjetë më shumë se Ballkani i vendit të dytë. 

Malisheva e treta ka 52 pikë, dy më shumë se Gjilani. Në rast se në xhiron e fundit Malisheva barazon dhe Gjilani fiton, në Evropë avancon Malisheva që i ka ndeshjet e ndërsjella më të mira. Malisheva ka tri fitore me rezultatin 2:1 dhe 4:1 në shtëpi, ndërsa një fitore e ka në udhëtim 1:0, e ndeshja tjetër në Gjilan ishte mbyllur pa gola.

Në garë për Evropë është edhe Ferizaj që ka 49 pikë në vendin e pestë, por me gjasa më të vogla. I duhet humbja e Malishevës dhe Gjilanit në xhiron e fundit. Në rast se Malisheva barazon, Gjilani humb e Ferizaj fiton, do të barazohej me pikë me Malishevën. Ndeshjet e ndërsjella mes Malishevës dhe Ferizajt janë baraz. Skuadrat kanë nga një fitore, ndërsa dy ndeshje kanë përfunduar baras. Më pas do të shikohej se cila skuadër e ka goldallimin më të mirë dhe malishevasit kanë përparësi aktualisht. 

Dukagjini dhe Prishtina i shpëtuan barazhit. Dukagjini në vendin e gjashtë ka 48 pikë, ndërsa Prishtina 47 pikë, tri më shumë se Llapi. Por Prishtina ka përparësi ndaj Llapit për shkak se i ka më të mira ndeshjet e ndërsjella. Prishtina kishte fituar 3:2 në ndeshjen e parë, ndërsa tri ndeshjet e tjera janë mbyllur baras, 1:1, 0:0 dhe 1:1. 

Llapi garën do ta ketë me Suharekën që është e parafundit me 42 pikë. 
Në xhiron e fundit, Llapi e pret Dukagjinin, ndërsa Suhareka ballafaqohet me Ballkanin. 
Në xhiron e fundit të kësaj kampanje do të vendoset edhe golashënuesi më i mirë. 
Listës për momentin i prin Mevlan Zeka me 20 gola, dy më shumë se sulmuesi i Ballkanit, Sunday Adetunji. Ardit Tahiri i Llapit është i treti me 16 gola.

Superliga – Java 35

Dukagjini – Ferizaj    3:1 
Ballkani – Llapi    0:1 
Feronikeli 74 – Prishtina    0:1 
Gjilani – Drita    0:0
Malisheva – Suhareka    1:2

Superliga – Java 36

Prishtina – Malisheva
Llapi – Dukagjini 
Suhareka – Ballkani 
Drita – Feronikeli 74 
Ferizaj – Gjilani

Tabela pas xhiros së 35-të:


Suhareka fiton ndaj Malishevës, mbetet me gjasa për mbijetesë

2 o. më parë / 17 maj 2025 18:13
Suhareka

Mevlan Zeka e shënoi golin e 20-të për Suharekën në edicionin aktual të Superligës, ndërsa Jakup Berisha e shtoi një tjetër. 

Me golat e Zekës dhe Berishës, Suhareka ka fituar në udhëtim te Malisheva 2:1, në ndeshjen e xhiros së parafundit. 

Zeka realizoi në minutën e 67-të, kurse Berisha në minutën e 75-të. Tre minuta më vonë, golin e vetëm për Malishevën e realizoi Valmir Berisha. 

Gola nuk pati më dhe fitorja i shërbeu më shumë Suharekës që kërkon mbijetesën në xhiron e fundit. Ndërkohë, Malisheva rrezikon Evropën, por në xhiron e fundit i duhet vetëm një pikë në ndeshjen me Prishtinën. 

Suhareka ka 42 pikë, dy më pak se Llapi që është në zonën e barazhit, përkatësisht në vendin e tetë. 
Malisheva ka 52 pikë në vendin e tretë, dy më shumë se Gjilani. 

Në rast se Malisheva dhe Gjilani përfundojnë me pikë të njëjta, në kualifikimet e Ligës së Konferencës avancon Malisheva pasi i ka ndeshjet e ndërsjella më të mira sesa gjilanasit. 

I ka tri fitore, 2:1 dhe 4:1 në shtëpi si dhe një fitore 1:0 dhe një barazim pa gola në udhëtim.

Prishtina fiton me gol të minutës së 95-të, siguron mbijetesën

2 o. më parë / 17 maj 2025 18:11
Ron RAqi

Ron Raqi ka realizuar gol në minutën e 95-të për t’ia siguruar fitoren skuadrës së Prishtinës. Prishtina fal golit të shënuar nga Raqi e mposhti të shtunën pasdite skuadrën e Feronikelit 74 me rezultatin 1:0. 

Kjo ndeshje i takoi xhiros së parafundit të Superligës së Kosovës në futboll. 

Prishtina me këtë fitore e ka siguruar mbijetesën. Prishtina ka 47 pikë dhe renditet në pozitën e shtatë. Tri pikë më pak ka Llapi në vendin e tetë. Kjo pozitë dërgon në barazh. 

Feronikeli 74 nga edicioni i ardhshëm do të bëjë gara në kategorinë e dytë të futbollit kosovar. Feronikeli 74 është në vendin e fundit me vetëm 15 pikë. 

Prishtina në xhiron e fundit e pret Malishevën kurse Feronikeli 74 luan në udhëtim te Drita.

Fitore “e madhe” e Llapit në Suharekë, vendos xhiroja e fundit

2 o. më parë / 17 maj 2025 18:04
Llapi

Llapi ka fituar në Suharekë ndaj Ballkanit me rezultatin 1:0, por nuk e ka të sigurt mbetjen në elitë pas fitoreve të Suharekës dhe Prishtinës. 

Llapi fitoi të shtunën me golin e Ardit Tahirit në minutën e 13-të. Suhareka e mposhti Malishevën 2:1 në udhëtim, ndërsa Prishtina si mysafire fitoi ndaj Feronikelit 74. 

Skuadra që drejtohet nga Tahir Batatina, Llapi, që do të luajë edhe në finale të Kupës së Kosovës me Prishtinën më 22 maj, aktualisht ka 44 pikë në vendin e tetë, përkatësisht të barazhit.

Suhareka në vendin e nëntë, të parafundit, ka 42 pikë. 

Në xhiron e fundit Llapi e pret Dukagjinin, ndërsa Suhareka luan përballë Ballkanit. 

Prishtina fitoi me golin e minutave shtesë të realizuar nga Ron Raçi. 

Prishtina siguron mbijetesën pasi ka 47 pikë në vendin e shtatë. 

Edhe nëse barazohet me Llapin me pikë në xhiron e fundit, mbetet në elitë për shkak të ndeshjeve më të mira mes vete në këtë edicion. 

Prishtina e kishte fituar 3:2 në shtëpi ndeshjen e parë ndaj Llapit në kuadër të xhiros së katërt të Superligës. 

Tri ballafaqimet tjera janë mbyllur baras, 1:1, 0:0 dhe 1:1.

Mbyllet baras derbi i Anamoravës

2 o. më parë / 17 maj 2025 18:02
Gjilani-Drita

Ka përfunduar pa gola derbi ndërmjet Gjilanit dhe Dritës. Kjo ndeshje u zhvillua të shtunën dhe i takoi xhiros së parafundit të Superligës së Kosovës në futboll. 

Të dyja skuadrat kishin disa raste shënimi për gol por që nuk i konkretizuan. 

Drita tashmë e ka siguruar titullin e kampionit. E mban pozitën e parë me 71 pikë. 

Gjilani e zë vendin e katërt me 50 pikë. Po lufton që deri në fund ta siguroj pjesëmarrjen në kupat evropiane. Malisheva ka dy pikë më shumë në vendin e tretë. Vetëm tri pozitat e para sigurojnë pjesëmarrjen në kupat evropiane. 

Gjilani në xhiron e fundit luan në udhëtim te Ferizaj. Drita e pret Feronikelin 74.

Dukagjini siguron mbetjen në Superligë

2 o. më parë / 17 maj 2025 17:54
Dukagjini

Skuadra e Dukagjinit e ka siguruar mbijetesën në Superligën e Kosovës në futboll.

Dukagjini të shtunën pasdite shënoi fitore shumë të rëndësishme ndaj Ferizajt në shtëpi me rezultatin 3:1. Kjo ndeshje i takoi xhiros së parafundit në elitën e futbollit kosovar.

Dienit Isufi e kaloi në epërsi Dukagjinin në minutën e 18-të. Hekuran Berisha realizoi për 2:0 në minutën e 41-të.

Erion Sadriu e ngushtoi rezultatin në 2:1 në minutën e 75-të por gëzimi i mysafirëve nuk zgjati shumë pasi dhjetë minuta më pas Elton Basri e realizoi golin e tretë për Dukagjinin.

Dukagjini me këtë fitore është ngritur në pozitën e gjashtë me 48 pikë. Ferizaj ka një pikë më shumë një pozitë më lartë.

Dukagjini në xhiron e fundit luan me Llapin në udhëtim kurse Ferizaj e pret Gjilanin.