Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Futboll

Lille paralajmëron padi për lëndimin e Santosit

Lille

Klubi francez, Lille, ka bërë të ditur të hënën se po shqyrton një padi për një dëmtim të mbrojtësit Tiago Santos, i cili do të humbasë pjesën tjetër të sezonit.

Mbrojtësi i djathtë 24-vjeçar këputi ligamentin e gjurit të djathtë pas një ndërhyrje “të pakontrolluar dhe të rrezikshme” të shtunën nga një lojtar i Le Havre gjatë ndeshjes së Ligue 1. 

Mesfushori i Le Havre, Amir Richardson, nuk u ndëshkua me karton të verdhë ose të kuq për ndërhyrjen.

Është lëndimi i dytë i ligamentit për lojtarin e Portugalisë U21. Herën e parë portugezi e lëndoi gjurin e këmbës së majtë në tetor 2024.

Lille tha se i kërkoi ligës franceze dhe federatës së futbollit të shpjegonin procesin e rishikimit të videos nga zyrtarët e ndeshjes që analizuan incidentin. Klubi mendon se nërhyrja ishte për karton të kuq të drejtpërdrejtë.

“Rrethanat e incidentit dhe mungesa e ndonjë sanksioni ngrenë pyetje serioze për klubin”, tha Lille, duke shtuar se i ka kërkuar ligës ta referojë incidentin në panelin e saj disiplinor.

Lille është e dyta në Ligue 1 pasi mundi Le Havre 1:0 dhe luan kundër Arsenalit në Ligën e Kampionëve të martën.

Santos luajti të gjithë ndeshjen në humbjen e parë 3:2 të Lille në shtëpi kundër Real Betis pesë javë më parë.