Real Madridi do të luajë në udhëtim te Mallorca e Vedat Muriqit dhe do ta kërkojë vazhdimësinë e rezultateve pozitive në garën për titull kampioni në La Ligan e Spanjës.
Mallorca – Real Madrid zhvillohet të shtunën nga ora 18:30 dhe i takon xhiros së 31-të të elitës së futbollit spanjoll.
Reali është lider me 75 pikë.
Barcelona është e dyta me 67 pikë, kurse Girona e treta me 65 pikë.
Mallorca, që luajti në finale të Kupës së Mbretit javën e kaluar dhe u mposht nga Athletic Bilbao në penallti, zë vendin e 15-të me 31 pikë.
Pra ende është në garë për të konfirmuar mbetjen në elitën spanjolle edhe për një edicion.
Skuadra e udhëhequr nga trajneri Carlo Ancelotti, Real Madridi, pati ndeshje të fortë në Ligën e Kampionëve në mesjavë kur barazoi në çerekfinalen e parë me Manchester Cityn, 3:3.
Vështirësi pritet të ketë edhe në fundjavë me Mallorcan që luan mirë në fazën defensive.
Trajneri i madrilenëve, Ancelotti, ka thënë të premten në konferencën për shtyp se është i vetëdijshëm për forcën fizike të Muriqit shtatlartë.
Por ka shtuar se ai do të mbulohet nga Eder Militao dhe beson se qendërmbrojtësi brazilian do të jetë i suksesshëm në këtë mision.
Barcelona të shtunën po ashtu luan në udhëtim te Cadizi në ndeshjen që nis në orën 21:00.
Atletico Madridi i vendit të katërt e pret Gironan e vendit të tretë, të shtunën në ndeshjen që fillon nga ora 14:00.
Atletico është shtatë pikë prapa befasisë së edicionit aktual, Gironas. Ka 58 pikë.
Është edhe në garë në Ligën e Kampionëve.