Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Futboll

Leedsi reagon për fishkëllimat e tifozëve të tij gjatë kohës së iftarit

Leeds United

Leeds United ka thënë se fishkëllimat e mëdha gjatë pushimit për t’iu mundësuar lojtarëve që të përfundojnë agjërimin, ishin “dëshpëruese”.

Të shtunën Leeds Unitedi e priti Manchester Cityn në kuadër të Premier Leagues angleze të futbollit. Në minutën e 13-të të ndeshjes, ndeshja u ndërpre në mënyrë që lojtarët që po agjëronin të mund të përfundonin agjërimin. Lojtarët e të dy skuadrave dolën te vija anësore dhe pinë ujë e pije energjike.
Por gjatë pushimit që zgjati pak më shumë se një minutë, janë dëgjuar fishkëllima të shumta të shikuesve. 

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Ka pasur shumë komente negative në profilet zyrtare të klubit të Leedsit në rrjetet sociale lidhur me sjelljet e tifozëve. 

Është kuptuar që një numër tifozësh i kanë dërguar email klubit duke shprehur zemërimin e tyre për mungesën e reagimit publik nga ana e Leedsit. Njëri prej tifozëve tha se ishin “thellësisht të shqetësuar” dhe “të turpëruar” nga ajo që ndodhi.

Në një përgjigje të përgjithshme të dërguar nga zyrtari për lidhje me tifozët i Leedsit, shkruan: “Klubi është i njoftuar për incidentin dhe ishte zhgënjyese që disa tifozë zgjodhën të fishkëllenin gjatë pauzës së lojës për t’u lejuar lojtarëve që agjërojnë Ramazanin të përfundojnë agjërimin e tyre. Klubi aktualisht po shqyrton pse ndodhi kjo dhe çka mund të bëhet në të ardhmen për të parandaluar incidente të një natyre të ngjashme”.

Trajneri i Leedsit, Daniel Farke, u pyet për çështjen në konferencën për shtyp para ndeshjes së Premier Leagues ndaj Sunderlandit, që luhet të martën mbrëma.

“Të jem i sinqertë, nëse ishte vërtet mungesë respekti për shkak të pushimit, atëherë duhet të themi se të gjithë duhet të mësojmë nga kjo”, ka thënë Farke. “Gjatë ndeshjes nuk ishte ndjesia ime kjo, sepse ishte një befasi për të gjithë që u bë ky pushim i vogël”.

Leedsi në nëntor humbi ndeshjen në “Etihad” dhe Farke akuzoi portierin e Cityt, Gianluigi Donnarumma, se aktroi se ishte i lënduar për të “shfrytëzuar rregullat” dhe për t’i mundësuar trajnerit Pep Guardiola të ftonte lojtarët e tij në vijën anësore dhe t’u jepte këshilla. Dhe ngjarjen e së shtunës e lidhi me atë që ndodhi në nëntor.

“Nuk jam i sigurt nëse të gjithë ishin të vetëdijshëm se perëndoi dielli. Ne kishim ndeshjen e parë kundër Manchester Cityt dhe patëm ndërprerjen kur Pep Guardiola mblodhi të gjithë lojtarët dhe foli me ta. Ne patëm një fillim shumë të mirë të ndeshjes të shtunën, ishim më të mirë se kundërshtarët në 10 minutat e parë dhe tifozët tanë kishin ndjesinë se rivalët po bënin të njëjtën gjë si në ndeshjen e parë. Dhe për shkak të kësaj ata po fishkëllenin. Nuk mendoj se ka të bëjë fare me pushimin për Ramazan. Nuk mendoj se dikush ishte vërtet i vetëdijshëm. Dikush më tha se ishte në ekran, por nuk jam i sigurt nëse të gjithë e shikojnë ekranin”.

Ai ka shtuar se nëse bëhet fjalë për mungesë respekti, atëherë kjo nuk është e pranueshme dhe duhet të mësojnë nga ajo që ndodhi.

City fitoi 1:0.

“Në përgjithësi, futbolli dhe dhoma jonë e zhveshjes është vendi më i mirë për të jetuar të bashku me pasaporta të ndryshme, fe të ndryshme. E di që ka solidaritet të madh dhe të gjithë mbështesin të njëjtin grup. Ndjesia ime është se tifozët as nuk e dinin se çka po ndodhte”. 

Një pushim i njëjtë planifikohet për të dielën, gjatë pjesës së dytë të ndeshjes së Kupës FA kundër Norwich Cityt në "Elland Road”. Por klubi do të japë informacion për këtë paraprakisht.