Klubi i futbollit nga Irlanda e Veriut, Larne, ka reaguar për flamurin anti-Kosovë të shfaqur në stadiumin e tij të martën mbrëma në ndeshjen ndaj Cërvena Zvezdës së Beogradit.
Në reagimin e lëshuar të mërkurën, Larne ka thënë se flamuri ishte vendosur nga një individ i vetëm. Dhe për më tepër ai nuk ishte tifoz i klubit.
Flamuri anti-Kosovë bëri bujë, ndërsa u publikuar edhe nga klubi serb Cërvena Zvezda, i njohur për qëndrimet anti-Kosovë.
Në flamur shkruante “Kosova është Serbi” në gjuhën angleze, ndërsa një stemë serbe ishte e vendosur mbi hartën e Kosovës.
Klubi anti-shqiptar, Cërvena Zvezdan, e publikoi në faqen zyrtare.
“Kosova është Serbi! Faleminderit Larne”, shkroi Zvezda në gjuhën serbe dhe angleze.
Megjithatë Larne është distancuar të mërkurën, duke njoftuar se nuk ka të bëjë asgjë me këtë flamur.
“Klubi i futbollit Larne është në dijeni të një fotografie që qarkulloi nga ndeshja e mbrëmshme e Ligës së Kampionëve kundër Cërvena Zvezdës në ‘Inver Park’. Gjatë pjesës së parë një flamur i natyrës politike u shfaq mbi reklamat në tribunën McKay. Sapo na u bë e ditur kjo, ekipi ynë i sigurisë së stadiumit veproi shpejt për ta hequr flamurin”, shkruan në komunikatën e Larnes.
Ndeshjen e Championsit, Larne e ka vlerësuar “natë historike”.
“Kjo nuk duhet të errësohet nga veprimet e një individi të vetëm, i cili nuk është tifoz i klubit të futbollit Larne dhe po merrte pjesë në ndeshje si neutral, në seksionin vendas. Si klub, ne përsërisim qëndrimin tonë se emblemat dhe shenjat politike nuk kanë vend në futboll”, ka shkruar klubi nga Irlanda e Veriut, që humbi 4:0.
Serbët vazhdimisht tentojnë të bëjnë provokime me flamuj e simbole anti-shqiptare dhe anti-Kosovë. Pos huliganëve serb përfshihen edhe klubet, si në këtë rast Cërvena Zvezda, që ka shtrembëruar realitetin duke lënë të kuptohet se ishte klubi nga Irlanda e Veriut që qëndronte pas shpalosjes së flamurit. Por klubi i Larnes ka zbuluar të mërkurën gënjeshtrën e klubit serb.
Larne ka luajtur dy herë me Ballkanin dhe një herë me Prishtinën në kuadër të garave evropiane.
Si u turpërua Zvezda e Beogradit për flamurin anti-Kosovë
“Kosova është Serbi! Faleminderit Larne”.
Kështu shkroi klubi serb i futbollit, Crvena Zvezda, të martën mbrëma, ndërsa publikoi një flamur anti-Kosovë të publikuar në stadiumin e Larnes në Irlandë të Veriut.
Në flamurin provokues shkruante “Kosova është Serbi”, ndërsa harta e Kosovës ishte e mbuluar me një stemë serbe.
Me postimin, klubi serb dëshironte që në opinion të kuptohej se flamuri anti-Kosovë ishte vepër e klubit nga Irlanda e Veriut.
Por kjo u mohua të mërkurën nga Larne. Ky klub përmes një komunikate tha se me të parë flamurin, janë angazhuar pjesëtarët e sigurisë për ta larguar. Po ashtu tha se flamuri u vendos nga një tifoz i paanshëm, që ishte i vendosur në sektorin e vendasve.
Pra bëhet fjalë vetëm për një shikues. Me shumë mundësi ndonjë huligan serb, nëse jo dikush i angazhuar nga klubi serb, shpesh i lidhur me grupe kriminale.
“Cërvena Zvezda me të drejtë u turpërua për shkak të transparentit ‘Kosova është Serbi’”, ka shkruar mediumi boshnjak “Dnevni Avaz”.
Larne e Zvezda u takuan në kuadër të kualifikimeve të Ligës së Kampionëve.