Futboll

Kosovës i bashkohet Muriq, Vojvoda e Bekaj optimist

Kosova futboll

Portieri Arijanet Muriq të dielën i është bashkuar Përfaqësueses së Kosovës në përgatitje për ndeshjen miqësore ndaj Norvegjisë. Muriq i mungoi Kosovës në ditët e para të përgatitjeve për shkak të gjendjes jo të mirë shëndetësore.

Fedeata e Futbollit e Kosovës ka bërë të ditur se me grupin kanë punuar edhe Edon Zhegrova dhe Amir Rrahmani, të cilët të shtunën lëshuan para kohe stërvitjen për shkak të shqetësimeve të vogla.

Mbrojtësi Mërgim Vojvoda dhe portieri Visar Bekaj kanë dhënë opinionet e tyre për punën e deritashme dhe pritjet që kanë për miqësoren me Norvegjinë.

“Besoj që kemi treguar fokus deri tash sepse nuk është lehtë kur e dimë se kampionati ka përfunduar. Por stërvitjet kanë shkuar mirë, çdo lojtarë është në rregull dhe shpresoj të jenë të gjithë në dispozicion. Trajneri po mundohem me idetë e tij të përgatitemi sa më mirë. Duam që të krijojmë lojën tonë, filozofinë tonë, idetë e trajnerit për ato lojë që na vijnë në shtator. E dimë se Norvegjia është ekip i fortë fizikisht, ka lojtarë të mirë, por duhet të luajmë lojën tonë dhe e presim me optimizëm për fitore. Shpresoj të kemi mbështetjen e bashkatdhetarëve sepse na duhet përkrahje e tyre. Kemi nevojë për ta dhe na bëhet qejfi që të ketë sa më shumë shqiptarë”, ka thënë Vojvoda.

Edhe portieri Visar Bekaj është i kënaqur me punën e bërë deri tash.

“Në fillim kemi pasur stërvitje më intensive, kurse me afrimin e ndeshjes po punojmë më shumë taktikisht. Jemi duke e analizuar mirë kundërshtarin. Është ndeshje miqësore, por prapëseprapë e ka rëndësinë e vet dhe duhet të fokusohemi 100 për qind. Duhet të fusim në ekip mentalitet fituesi dhe shpresoj të shkojmë të bëjmë lojë të mirë atje dhe pse jo të fitojmë, pastaj të vazhdojmë në Ligën e Kombeve me fitore. Norvegjia ka lojtarë të mirë. Pika e fortë e tyre është mesfusha dhe sulmi, por në ndeshjet e fundit kanë çaluar në mbrojtje. Shpresoj se do të analizojmë deri në fund se ku i kanë pikat e dobëta dhe të dalim mirë. Po ashtu, i ftoj bashkatdhetarët që të na mbështesim sa më shumë dhe shpresoj t’i gëzojmë me fitore”, ka thënë Bekaj.

“Dardanët” të hënën e zhvillojnë stërvitjen e fundit në Kosovë para nisjes për në Oslo, ku të mërkurën do ta zhvillojnë miqësoren ndaj Norvegjisë.