Futboll

Kosova vazhdon me fitore, “shpërthen” ndaj Armenisë

Kosova-Armenia

Foto: Nikolle Quni

Kosova ishte dy herë në disavantazh. Por në fund shënoi fitore bindëse ndaj Armenisë, me rezultatin 5:2.

Ndeshja e së premtes mbrëma ishte miqësore, ndërsa u zhvillua në stadiumin “Fadil Vokrri”. Interesimi për këtë ndeshje ishte i vogël, kurse momentet interesante nuk kanë munguar.

Fitorja e Kosovës ishte e pritur. Armenia nuk vlerësohet se është në nivelin e përfaqësueses së Kosovës.

Ndeshja nisi keq për të përzgjedhurit e Franco Fodas. Pas një ndërhyrje të zbehtë të mbrojtjes, Nair Tiknizyan goditi. Por ishte portieri Amir Shaipi që e devijoi topin në portën e tij.

Në pjesën e parë ndeshja ishte plotësisht e hapur. Në minutën e 23-të Lumbardh Dellova shënoi gol të bukur për 1:1.

Por menjëherë në minutën e 29-të armenët kaluan në epërsi 2:1.Eduard Spertsyan ishte realizator.
Me rezultatin 2:1 në të mirë të mysafirëve përfundoi pjesa e parë. 

Dhe pjesa e mirë ishte e tëra për “Dardanët”. Pas një ore lojë Baton Zabërgja u ndal në zonë në mënyrë të palejuar. I saktë nga pika e bardhë ishte mbrojtësi Mërgim Vojvoda. Ai shënoi për 2:2 në minutën e 61-të. Vojvoda në këtë takim ishte kapiten.

Selektori Foda në minutën e 63-të i bëri katër ndryshime në përbërje e në minutën e 69-të edhe të pestin. Dhe ndryshimet sollën rezultat. Njëri prej atyre që u aktivizuan, Lindon Emërllahu shënoi gol të bukur për 3:2 në minutën e 71-të. Ndërkohë një tjetër zëvendësues dha shfaqjen finale.

Albion Rrahmani shënoi për 4:2 në minutën e 90-të dhe për 5:2 në minutën e 93-të. Kështu në fund fitorja ishte bindëse, pos e pritur.

Në këtë miqësore, Kosova është paraqitur pa lojtarë të rëndësishëm si Amir Rrahmani, Vedat Muriqi, Aro Muriq, Milot Rashica, Edon Zhegrova e plot të tjerë. Por zëvendësuesit shfrytëzuan rastin për të vazhduar serinë e fitoreve.

Lexo përditësimet tjera
Kosova-Armenia

Kosova vazhdon me fitore, “shpërthen” ndaj Armenisë