Klubi kroat i futbollit Vukovar 1991 ka njoftuar të enjten se e ka ndërprerë kontratën me portierin e ri Srgjan Nediq, i cili pritej të ishte titullar në ndeshjen kundër Dinamo Zagrebit të premten.
Vendimi është marrë, pasi drejtuesit e klubit morën informacion se Nediq po i ndiqte faqet e klubit serb Cërvena Zvezda dhe çetnikëve. Krahas Zvezdës, Nediq e ndoqi një profil të quajtur “Çetnici 1941” në Instagram, i cili ka 12 postime dhe 51 ndjekës. Fotografia e profilit të kësaj faqeje e ka flamurin e Serbisë mbi hartën e Kosovës. Në përshkrimin e kësaj faqeje në çirilicë shkruan “Patriotizëm dhe dashuri për mbretin dhe atdheun. Kosova është Serbi”.
Nediq, po ashtu e ndjek profilin e KK Cërvena Zvezda.
“HNK Vukovar 1991 dëshiron ta informojë publikun se, menjëherë pasi mësoi për veprime që nuk janë në përputhje me vlerat dhe standardet e klubit tonë, mori masa vendimtare dhe e ndërpreu kontratën me lojtarin Srgjan Nediq sa më shpejt që ishte e mundur. Si një klub i bazuar në respekt, përgjegjësi dhe integritet, ne besojmë se një sjellje e tillë nuk është e pranueshme dhe nuk i përfaqëson vlerat për të cilat ne përfaqësojmë”, shkruan në njoftimin e klubit elitar të Kroacisë.
Klubi kroat ka kërkuar falje, duke theksuar se e kanë të pamundur t’i kontrollojnë të gjithë anëtarët e tyre.
“Edhe pse investojmë me përpjekje të mëdha në sjelljen profesionale të të gjithë anëtarëve tanë, është e rëndësishme të theksojmë se nuk kemi kontroll mbi përmbajtjen dhe aktivitetet private të individëve jashtë kornizës së klubit”, thuhet në deklaratë.
Nedqi u lind më 27 dhjetor 2006 në Vukovar dhe iu bashkua Vukovarit nga Cibalija dy vjet më parë. Ai e priste paraqitjen e parë në ndeshjen kundër Dinamos në stadiumin “Maksimir”, në kuadër të xhiros së dytë të elitës së futbollit kroat.
Për shkak të lëndimit të portierit të parë, i cili pati paraqitje të mirë në humbjen kundër Lokomotivës së Zagrebit (1:0) në xhiron e parë, Nediq pritej të ishte titullar kundër Dinamos. Megjithatë, kjo nuk do të ndodhë, për shkak të ndërprerjes së kontratës.